FOKUS – Mbi 288 mijë familje pa energji elektrike, Franca përballet me stuhinë “Austen”
PARIS, 23 tetor /ATSH-AFP/- Rreth 288 600 familje në Francë mbetën sot pa energji elektrike për shkak të stuhisë “Austen”, veçanërisht në rajonet Bretanjë, Pays de la Loire dhe Normandi.
Sipas të dhënave të kompanisë, 148 500 familje janë prekur në Bretanjë, 88 800 në Normandi, 49 600 në Pays de la Loire dhe 7 800 në rajonin Hauts-de-France.
Gjatë natës, në Bretanjë dhe në pjesën perëndimore të zonës së Kanalit të La Manshit, u regjistruan erëra me shpejtësi nga 120 deri në 140 kilometra në orë. Kjo është stuhia e parë e fortë e sezonit të vjeshtës në Francë.
Sipas shërbimeve meteorologjike, rajoni i Normandisë pritet të jetë ndër zonat më të prekura.
Era mund të arrijë shpejtësinë deri në 120 kilometra në orë në zonat e brendshme dhe 130 deri në 140 kilometra në orë pranë bregdetit.
Parashikohet që era të fillojë të dobësohet ndjeshëm vetëm në orët e vona të pasdites.
Prefektura e rajonit Manche njoftoi se kishte vendosur kufizime për lëvizjen pranë vijës bregdetare, përfshirë ndalimin e hyrjes në plazhe, për shkak të rrezikut nga stuhia.
Shërbimi meteorologjik francez, “Météo-France” paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet edhe nga fakti se bimësia në disa zona është dobësuar nga thatësira e fortë gjatë verës.
Ndërkohë, të gjitha fluturimet e kompanisë ajrore “Transavia”, të planifikuara për paraditen e sotme nga aeroporti i Nantes, në perëndim të Francës, u anuluan.
Edhe në qytetin Saint-Malo, në perëndim të vendit, u mbyll përkohësisht sot në mëngjes zona e aktiviteteve të garës detare Route du Rhum.
Kjo zonë pritet të presë më shumë se një milion vizitorë përpara nisjes së garës së lundrimit me vela përtej Atlantikut, e planifikuar për 1 nëntor. /