FOKUS – Trump: Tre orë bisedime SHBA-Iran në Nju Jork, hap i ri drejt një marrëveshjeje
NJU JORK, 23 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump tha se zyrtarë të SHBA-së dhe Iranit u takuan dje në Nju Jork, në kuadër të takimeve që zhvillohen gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Trump tha se takimi zgjati rreth tre orë dhe shkoi “shumë mirë”.
Në takim morën pjesë negociatori amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner.
Sipas medieve amerikane, në takim mori pjesë edhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Takimi u mundësua nga Pakistani dhe Katari, të cilët janë përpjekur të rikthejnë bisedimet diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit.
Sipas medieve amerikane, bisedimet u përqendruan te mundësia e arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit.
Trump tha se mund të ketë edhe një takim tjetër së shpejti.
Irani kërkon disa kushte
Sipas medieve shtetërore iraniane, takimi u zhvillua me kërkesë të Witkoff.
Irani i paraqiti SHBA-së kushtet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare shumë e rëndësishme për transportin e naftës në botë.
Kushtet e Iranit përfshijnë, ndalimin e menjëhershëm të bllokadës detare amerikane pranë Iranit; lirimin e parave dhe pasurive iraniane të bllokuara dhe përfundimin e luftës në të gjitha frontet.
Trump kërcënon sërish Iranin
Në fjalimin e tij në OKB, Trump tha se SHBA-ja mund të marrë masa shumë të ashpra ndaj Iranit nëse nuk arrihet marrëveshje.
Ai përsëriti se nuk do të lejojë Iranin të ketë armë bërthamore dhe tha se një nga mundësitë është arritja e një marrëveshjeje, ndërsa tjetra është një sulm shumë i gjerë ndaj Iranit.
Trump tha gjithashtu se SHBA-ja mund të sulmojë një tjetër objekt bërthamor të dyshuar në Iran, të njohur si “Mali i Kazmës, nëse raportohet aktivitet i ri atje.
Megjithatë, Trump tha se beson se Irani përfundimisht do të pranojë një marrëveshje, ndoshta pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA në fillim të nëntorit. /