FSHF refuzon kërkesën e Tiranës, ndeshja ndaj Elbasanit do të luhet pa tifozë në stadium!
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka rrëzuar kërkesën e Tiranës për konvertimin e dënimit për zhvillimin e një ndeshjeje pa spektatorë.
Vendimi i marrë më 11 maj 2026 mbetet në fuqi dhe do të ekzekutohet sipas përcaktimeve të tij.
Komisioni e ka marrë vendimin pas shqyrtimit të kërkesës së klubit dhe komunikimit zyrtar me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ndërsa ka vlerësuar se në rrethanat konkrete nuk ishte e përshtatshme konvertimi i masës disiplinore në gjobë. Vendimi është përfundimtar dhe i paapelueshëm.
Njoftimi i Komisionit:
“Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF, pasi mori në shqyrtim kërkesën e KF Tirana për konvertimin e dënimit për zhvillimin e ndeshjes pa spektatorë,
Vëren se: Me vendimin nr. 45, datë 11.05.2026, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka vendosur ndaj KF Tirana masën disiplinore të zhvillimit të ndeshjes pa spektatorë.
Më datë 18.09.2026, KF Tirana ka paraqitur kërkesë për konvertimin e masës disiplinore, bazuar në nenin 75 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
Në bazë të nenit 75 të KDE, masa disiplinore e zhvillimit të ndeshjes pa spektatorë mund të konvertohet me gjobë, pas shlyerjes së gjysmës së dënimit dhe me kërkesë të palës së interesuar.
KOMISIONI I DISIPLINËS DHE ETIKËS:
Pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga KF Tirana, dokumentacionin bashkëlidhur saj, komunikimin zyrtar me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë nga i cili rezulton se, për shkak të kohës së kufizuar në dispozicion nga momenti i njoftimit për zhvillimin e ndeshjes, Policia e Shtetit e ka pasur objektivisht të pamundur planifikimin dhe marrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së saj, si diskutoi çështjen në tërësi, duke u bazuar në nenin 75 dhe vijues të Kodit të Disiplinës dhe Etikës, Komisioni vlerëson se në rrethanat konkrete nuk është e përshtatshme konvertimi i masës disiplinore të vendosur. Për këto arsye,
VENDOSI: Rrëzimin e kërkesës së KF Tirana për konvertimin e masës disiplinore të zhvillimit të ndeshjes pa spektatorë, të vendosur me Vendimin nr. 45, datë 11.05.2026
Masa disiplinore e zhvillimit të ndeshjes pa spektatorë mbetet në fuqi dhe do të ekzekutohet sipas përcaktimeve të vendimit përkatës.
Ky vendim është përfundimtar dhe i paapelueshëm, në përputhje me nenin 75/4 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës”.