GAZA – Izraeli vret kreun e shërbimit të sigurisë së brendshme të Hamasit
GAZA/TEL AVIV, 24 nëntor /ATSH-DPA- Kreu i shërbimit të sigurisë së brendshme të Hamasit në Rripin e Gazës, Naim Abu Nahal, është vrarë gjatë një sulmi izraelit, konfirmoi sot Hamasi dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ushtria izraelite e cilësoi eliminimin e tij si një goditje të rëndësishme ndaj aftësive drejtuese dhe funksionimit të këtij aparati. Sipas ushtrisë, Abu Nahal ishte i përfshirë në organizimin e sulmeve terroriste kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Paraardhësi i tij ishte arrestuar nga ushtria izraelite rreth tre muaj më parë.
Shërbimi i sigurisë së brendshme të Hamasit raportohet se është përgjegjës për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë të organizatës dhe koordinimin e takimeve të tyre.
Ndërkohë, gjashtë persona të tjerë u vranë të martën në dy sulme të tjera izraelite në Gaza, sipas burimeve mjekësore palestineze.
Tre efektivë të policisë u vranë dhe disa persona të tjerë u plagosën pasi një postbllok policor, i administruar nga Hamasi, u godit në qytetin jugor të Khan Younisit. Tre persona të tjerë humbën jetën nga një sulm izraelit në Gazën qendrore.
Pretendimet nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur. Ushtria izraelite nuk kishte reaguar ende ndaj kërkesës për koment.
Pavarësisht armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, në fuqi që prej tetorit, sulmet vdekjeprurëse në Gaza vazhdojnë pothuajse çdo ditë.
Ushtria izraelite ka shtuar së fundmi sulmet ajrore, duke deklaruar se ka vrarë disa zyrtarë të lartë të Hamasit.
Ndërkohë, Netanyahu ka urdhëruar së fundmi ushtrinë të vrasë të gjithë 2 mijë anëtarët e mbetur të Hamasit, të cilët sipas Izraelit kanë qenë të përfshirë në sulmet e 7 tetorit kundër Izraelit./ /Ad.Ab./ a.jor.