Tuesday, 28 July 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaGentrit Syla mohon ndikimin në punësime: Audio-incizimi është i manipuluar dhe shantazh ndaj meje

Gentrit Syla mohon ndikimin në punësime: Audio-incizimi është i manipuluar dhe shantazh ndaj meje

Zyrtari i Komunës së Prishtinës, Gentrit Syla, ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi, në të cilin dëgjohet duke biseduar me një delegat të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), lidhur me punësimin e bashkëshortes së këtij të fundit në këmbim të mbështetjes në Kuvendin e partisë.

I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Syla mohoi të ketë kompetenca për të punësuar persona në Komunën e Prishtinës, ndërsa pretendoi se audio-incizimi është manipuluar dhe është publikuar për ta shantazhuar.

Ai tha se biseda e publikuar është nxjerrë jashtë kontekstit dhe është fragmentuar.

“Kemi folur për biseda të ndryshme. Biseda është e fragmentuar në forma të ndryshme dhe po e shoh që LDK-ja dhe ekipi i Lumir Abdixhikut e kanë humbur arsyen, duke përdorur metoda të Dejona Mihalit dhe Vetëvendosjes”, deklaroi Syla.

Sipas tij, personi me të cilin ka zhvilluar bisedën është mik i tij prej kohësh dhe nuk kishte besuar se do të përfshihej në një situatë të tillë.

“E kam shok prej moti. Nuk kam besuar që merret me këto, por sigurisht ka qenë i përgatitur nga ekipi i Lumirit për të më shantazhuar. Unë jam delegat në Kuvend dhe jam kontaktuar nga akterë të ndryshëm pranë Lumir Abdixhikut për ta mbështetur në procesin e fundit. Më kanë dërguar lloj-lloj çështjesh për të më nxjerrë kështu”, u shpreh ai.

Syla theksoi se audio-incizimin e konsideron një formë presioni politik ndaj tij, duke shtuar se, pavarësisht pasojave që mund t’i sjellë publikimi i tij, ai do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim politik kundër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Audio-incizimi është publikuar në kohën kur brenda LDK-së po zhvillohen përplasje lidhur me proceset e brendshme partiake dhe zgjedhjet për drejtimin e partisë.

– YouTube www.youtube.com

Lini një koment