GJL prish vendimin e pafajësisë për Luiz Ejllin, çështja e këngëtarit do të rigjykohet nga një trupë tjetër
Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit që shpalli të pafajshëm këngëtarin Luiz Ejlli për akuzën e falsifikimit të dokumenteve, duke vendosur rikthimin e çështjes për rigjykim në Apel, me një tjetër trupë gjykuese. Kështu, procesi gjyqësor ndaj këngëtarit do të nisë sërish, pas vendimit që më parë e kishte nxjerrë atë të pafajshëm.
Çështja lidhet me dyshimet për falsifikimin e një akti noterial dhe justifikimin e një shume prej 210 mijë eurosh. Vendimi i Gjykatës së Lartë vjen pas rekursit të Prokurorisë, e cila kundërshtoi pafajësinë e dhënë nga Apeli dhe kërkoi rishikimin e vendimit.
Luiz Ejlli u akuzua për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, kryer në bashkëpunim. Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës kur kishte humbur licencën e noterit, ai kishte përdorur vulën noteriale për të hartuar një deklaratë që justifikonte burimin e një shume prej 210 mijë eurosh, në favor të shtetasit Fatmir Avdurramani.
Më 2 tetor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e shpalli fajtor Ejllin dhe e dënoi me një vit burgim. Ndërkohë, bashkëpandehuri i tij, Fatmir Avdurramani, u dënua me 18 muaj burgim.
Por më 8 maj 2025, Gjykata e Apelit në Tiranë ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke shpallur të pafajshëm të dy të pandehurit. Prokuroria e Apelit depozitoi rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të pafajësisë.
Tashmë, Gjykata e Lartë ka pranuar rekursin përmes prishjes së vendimit të Apelit dhe kthimit të çështjes për rigjykim. Luiz Ejlli do të përballet sërish me procesin gjyqësor, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga një tjetër trupë gjykuese në Apel.