Goditet një anije ruse në bazën detare të Bengazit në Libi, dyshohet për sulm me dron
Një anije ruse e ankoruar në portin e Bengazit, në Libi, u godit në një shpërthim që dyshohet se erdhi nga një sulm me dron, siç njofton Shqiptarja.com. Sipas agjencisë Anadolu, shpërthimi nuk shkaktoi viktima.
Administrata e lindjes së Libisë, e komandantit Khalifa Haftar, tha në një deklaratë se hetimet paraprake tregojnë se shpërthimi ndodhi në bordin e anijes ruse të ankoruar në port. Sipas së njëjtës deklaratë, dyshohet se anija u godit nga dronë.
Anija ishte duke udhëtuar drejt Rusisë dhe kishte ndaluar në Bengazi për karburant dhe furnizime, para se të ndodhte shpërthimi. Emri i anijes nuk është bërë i ditur, ashtu si edhe identiteti i autorit të dyshuar të sulmit, i cili për momentin mbetet vetëm një dyshim.