Hapet sot “dritarja e dialogut”, Rama përsërit ftesën për t’u ulur në një tryezë me studentët
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur këtë të premte (6 nëntor) ftesën për dialog drejtuar studentëve dhe pedagogëve, ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë prej 23 ditësh. Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rama ka rikthyer para godinës së Kryeministrisë tryezën prej guri, mbi të cilën janë vendosur fletë me mbishkrimin “Dialog”, duke përcjellë sërish mesazhin për nisjen e bisedimeve.
Ndërkohë, ditën e sotme, kryeministri Edi Rama pritet të prezantojë edhe “dritaren e dialogut”, një dritare online ku qytetarët mund të shprehin shqetësime konkrete.
Protestat nisën më 13 tetor, fillimisht para Ministrisë së Arsimit dhe më pas pranë institucioneve të tjera shtetërore, ku gjimnazistë, studentë dhe pedagogë shprehën pakënaqësitë ndaj politikave qeveritare.
Ndërkohë, lëvizja studentore vijon të jetë e ndarë në qëndrime. Një pjesë e studentëve janë rikthyer në auditorë, duke i dhënë fund bojkotit rreth dyjavor, ndërsa një grup tjetër vijon të mbështesë ndërprerjen e mësimit dhe protestat.
Pavarësisht ftesave të përsëritura të kryeministrit, protestuesit kanë refuzuar deri më tani dialogun me qeverinë.