Haradinaj: Pas aktgjykimit të Hagës, politika duhet të ulet në tavolinë urgjentisht
Ish-deputeti Daut Haradinaj ka kërkuar bashkërendim të hapave pas aktgjykimit dënues në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai tha se strategjia ndaj kësaj gjykate, të cilën e quan politike, u kërkon të gjithëve, pashmangshëm, të dalin mbi politikat ditore, të brendshme e banale.
Sipas Haradinajt, në këtë pikë nuk mjafton vetëm një strategji shtetërore — e cila sipas tij do të duhej të ishte tashmë e padiskutueshme — por kërkohet një qasje gjithëkombëtare.
“Duhet bashkërendim i hapave të mëtejshëm me secilin faktor vendor dhe me aleatët ndërkombëtarë. Nuk është momenti për të hedhur topin nga njëra palë te tjetra, as për t’ia kaluar përgjegjësinë njëri-tjetrit. Populli është në sheshe. Politika duhet të ulet në tavolinë. URGJENTISHT! Dhe jo të ulen skutave për pushtet, por për ide dhe reagime shtetërore, bashkë me Shqipërinë dhe aleatët tanë”, shkroi Haradinaj.
Burimi: Klan Kosova