Monday, 10 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaHUNGARI – Vala e të nxehtit ul në minimum prodhimin e centralit bërthamor të Paksit

HUNGARI – Vala e të nxehtit ul në minimum prodhimin e centralit bërthamor të Paksit

BUDAPEST, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Centrali bërthamor i Paksit, i vetmi në Hungari, i shpëtoi për pak një ndalese të plotë të funksionimit pasi niveli i ujit në lumin Danub ra në nivele rekord si pasojë e valës së të nxehtit.

Kryeministri hungarez, Peter Magyar, bëri të ditur se rreth orës 01:30 centrali ishte vetëm disa milimetra larg mbylljes totale, por më pas rënia e nivelit të ujit u ndal dhe deri në mëngjes lumi ishte rritur me 1,5 centimetra.

”Aktualisht centrali funksionon vetëm me turbinën e fundit, në kushte të sigurta, duke prodhuar rreth 240 megavat, ose vetëm 12% të kapacitetit të tij normal”, sipas Autoritetit Hungarez të Energjisë Atomike.

Kompleksi i Paksit, i vendosur rreth 100 kilometra në jug të Budapestit, furnizon zakonisht rreth një të tretën e konsumit të energjisë elektrike në vend dhe përdor ujin e Danubit për ftohjen e katër reaktorëve të tij.

Fundjavën e kaluar ekzistonte rreziku real që centrali të ndalej plotësisht për herë të parë që nga vënia në punë e reaktorit të parë në vitin 1982.

Megjithëse niveli i Danubit është rritur lehtë ditët e fundit, prodhimi i kufizuar i energjisë ka krijuar boshllëqe të konsiderueshme në furnizim.

Deri tani nuk janë raportuar ndërprerje të energjisë apo kufizime të detyruara, ndërsa qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të kursejnë energjinë elektrike, sidomos gjatë orëve të pikut në mbrëmje.

Sipas kryeministrit Magyar, konsumi i energjisë është ulur me më shumë se 500 megavat krahasuar me një ditë të zakonshme vere./  /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment