I riu humbi jetën pasi preu damarët dhe më pas u hodh nga kati i pestë, në pranga ish-vjehrri! Dyshohet se e nxiti në flij
Një 45-vjeçar është arrestuar në Tiranë në vijim të hetimeve për vdekjen e një 36-vjeçari në zonën e Alliasit.
Gerald Sefa, 36 vjeç, i dha fund jetës një ditë më parë duke u hedhur nga kati i pestë i një pallati në zonën e Alliasit, në Tiranë.
Për ngjarjen, policia ka arrestuar Sajmir Demirin, babanë e ish-bashkëjetueses së tij, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes. Dy ditë para ngjarjes, Demiri dyshohet se ka debatuar me 36-vjeçarin, duke i kërkuar llogari për ndarjen nga vajza e tij.
Sipas hetimeve, debatet dhe presioni i vazhdueshëm ndaj Sefës dyshohet se e kanë shtyrë të riun drejt aktit ekstrem. Fillimisht, policia hetoi edhe pistën e vrasjes, pasi në banesën ku ndodhi ngjarja u gjet një thikë me njolla gjaku.
Por, sipas burimeve, ekspertiza ka zbuluar se në thikë kishte gjurmë gishtash të Gerald Sefës. Dyshohet se 36-vjeçari fillimisht ka tentuar të presë damarët dhe më pas është hedhur nga lartësia.
Banesa ku ndodhi ngjarja ishte në pronësi të një familjari të Sefës, i cili ia kishte lënë të riut për të jetuar.
“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, në Allias, ku shtetasi G. S., 36 vjeç, dyshohet se u vetëdëmtua me mjet prerës dhe më pas u vetëhodh nga kati i pestë i një pallati dhe, si pasojë, humbi jetën, u arrestua shtetasi S. D., 45 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “shkaktimi i vetëvrasjes”, thuhet në njoftimin e policisë.