E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Inflacioni arrin në 3.4%, ushqimet dhe transporti shtrenjtojnë jetesën

Inflacioni arrin në 3.4%, ushqimet dhe transporti shtrenjtojnë jetesën

Çmimet e konsumit në Shqipëri vijojnë të rriten. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni në muajin tetor arriti në 3.4%, nga 2.3% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa krahasuar me muajin shtator, çmimet u rritën me 0.5%.

Kontributin më të madh në rritjen e inflacionit e dhanë ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat ndikuan me 1.36 pikë përqindje. Brenda këtij grupi, çmimet rezultuan 4% më të larta se në tetorin e vitit të kaluar.

Por rritja më e fortë vjetore u regjistrua në transport, ku çmimet u shtrenjtuan me 11.4%. Pas tij renditen argëtimi, sporti dhe kultura me 7.4%, ndërsa sigurimet dhe shërbimet financiare shënuan rritje prej 4.4%.

Edhe shpenzimet për banesën, energjinë dhe karburantet e tjera u rritën me 2.8% në terma vjetorë.

Sa i përket ndryshimit mujor, në tetor rritjen më të madhe e shënuan veshjet dhe këpucët me 1.5%, të ndjekura nga ushqimet dhe pijet joalkoolike me 1.2%.

Nga ana tjetër, çmimet e transportit shënuan një rënie mujore prej 1.4%.

Të dhënat tregojnë se ushqimet dhe transporti vijojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e kostos së jetesës për familjet shqiptare.

Lini një koment