Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaBotaIRAN – Gjykata rrëzon dënimin me burg për këngëtaren Hiwa Sefizadeh

IRAN – Gjykata rrëzon dënimin me burg për këngëtaren Hiwa Sefizadeh

TEHERAN, 23 shtator /ATSH-DPA/- Një gjykatë në Iran ka rrëzuar dënimin me katër vjet burg ndaj këngëtares Hiwa Sefizadeh, pas një koncerti ku ajo këndoi në publik në Teheran.

Gjykata e Apelit në Teheran e shpalli këngëtaren të pafajshme për akuzat për “nxitje të korrupsionit dhe prostitucionit”, raportoi sot faqja e lajmeve “Avash”.

Në vend të burgut, Sefizadeh është dënuar me një gjobë prej pak më shumë se 200 dollarësh dhe tre muaj punë në shërbim të komunitetit, për “shkelje të moralit publik”.

Muajin e kaluar, këngëtarja bëri publike masën e parë të dënimit, e cila lidhej me një koncert të zhvilluar në shkurt 2025.

Ajo kishte kënduar së bashku me një grup, që interpretonte muzikë tradicionale persiane, por koncerti u ndërpre nga forcat e sigurisë.

Në Iran, gratë përgjithësisht nuk lejohen të këndojnë solo në koncerte publike.

Sefizadeh publikoi në Instagram një mesazh nga avokati i saj, i cili konfirmoi uljen e dënimit. “Shpresojmë për ditën kur asnjë zë të mos heshtet më”, shkroi ajo.

Dënimi fillestar me katër vjet burg, shkaktoi reagime të shumta kritike në Iran.

Këngëtarja mori mbështetje edhe nga figura të sektorit të kulturës.

“Ne kemi shumë këngëtare të mira dhe janë krijuar shumë vepra të vlefshme”, tha në atë kohë Hamid Reza Noorbakhsh, drejtues i shoqatës së artistëve “House of Music”.

Sipas tij, nuk ekziston në Iran një rregull fetar dhe ligjor, që ndalon në mënyrë absolute dhe pa përjashtim gratë të këndojnë. /

Lini një koment