IZRAEL – Netanyahu kritikon Macron për deklaratat mbi situatën në Bregun Perëndimor
TEL AVIV, 23 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron për deklaratat e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së lidhur me situatën në Bregun Perëndimor.
Duke folur në Debatin e Përgjithshëm vjetor të OKB-së, Macron tha se Izraeli po kryen shkelje të përditshme në territorin e pushtuar, pavarësisht faktit se Hamasi nuk kishte mbizotëruar kurrë në Bregun Perëndimor, ndryshe nga Gaza.
“Shikoni se çfarë po ndodh në Bregun Perëndimor, ditë pas dite, ne shohim shkelje. Dhe në emër të kujt? Hamasi nuk ka vepruar kurrë në Bregun Perëndimor. Ajo që po ndodh atje, çdo ditë, po e bën gjithnjë e më të pamundur realizimin e një projekti, që duhet të bazohet në respektimin e të drejtës legjitime të popullit palestinez për të ekzistuar”, tha dje Macron në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.
“Çfarë vlere ka besueshmëria jonë nëse vazhdojmë të qëndrojmë pasivë përballë Gazës? Disa pretendojnë se është arritur paqja. Por, kjo paqe nuk ka hapur asnjëherë aksesin për ndihmat humanitare. A duhet thjesht të qëndrojmë dhe të shohim këtë spektakël që duhet të na turpërojë të gjithëve?”, tha presidenti francez duke iu referuar Gazës.
Zyra e Netanyahut e cilësoi deklaratën e Macron si “absurde”, duke thënë se anëtarë të Hamasit kanë vrarë civilë izraelitë në Bregun Perëndimor.
Edhe ish-shefi i ushtrisë izraelite, Gadi Eisenkot, një nga rivalët kryesorë politikë të Netanyahut, e kritikoi Macron.
Ai tha se Izraeli ka luftuar prej vitesh kundër sulmeve të armatosura në Bregun Perëndimor.
Një diplomat francez, i cituar nga “The Times of Israel”, sqaroi se Macron nuk kishte thënë se Hamasi nuk ka vepruar në Bregun Perëndimor. Ai donte të theksonte se Hamasi “nuk e qeveris Bregun Perëndimor”.
Situata në Bregun Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe fillimi i luftës në Gaza.
Kohët e fundit, ka pasur si sulme nga palestinezë ndaj izraelitëve, ashtu edhe një rritje të dhunës së kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve.
Ushtria izraelite është kritikuar se nuk ka ndërhyrë mjaftueshëm kundër këtyre sulmeve./