E shtunë, 21 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›ITALI – Gjendet i vdekur ish-kreu i Policisë, Gianni De Gennaro, në banesën e tij në Toskanë

ITALI – Gjendet i vdekur ish-kreu i Policisë, Gianni De Gennaro, në banesën e tij në Toskanë

ROMË, 21 nëntor /ATSH-ANSA/ – Ish-kreu i Policisë së Shtetit në Itali, Gianni De Gennaro, është gjetur i vdekur në banesën e tij në fshat, në rajonin e Toskanës, në Itali.

Sipas agjencisë italiane, 78-vjeçari dyshohet se i ka dhënë fund jetës në banesën e tij.

Lajmi është bërë i ditur nga burime të kualifikuara, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes ende nuk janë bërë publike zyrtarisht.

Vdekja e tij vjen në një moment kur emri i De Gennaros ishte përfshirë në një hetim të Prokurorisë së Kaltanisetës, lidhur me dyshimet për pengim të hetimeve mbi masakrën e Via D’Amelios, ku më 19 korrik 1992 u vra gjykatësi italian, Paolo Borsellino, një nga figurat kryesore të luftës kundër mafies, së bashku me pesë pjesëtarë të eskortës së tij.

Hetimi lidhet veçanërisht me zhdukjen e të ashtuquajturës “agjenda e kuqe” e Borsellinos, një bllok shënimesh ku gjykatësi mbante shënime personale dhe profesionale, përfshirë informacione mbi hetimet kundër mafies. Dokumenti u zhduk pas atentatit dhe nuk është gjetur ende.

Sipas prokurorëve, De Gennaro dyshohej se, në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte ushtruar ndikim për të penguar ish-bashkëpunëtorin e drejtësisë Salvatore Contorno të jepte dëshmi para prokurorisë.

Ai dyshohej gjithashtu për fshehje dhe zhvendosje dokumentesh, që mund të kishin rëndësi për hetimin.

Më 16 nëntor, Prokuroria kërkoi vendosjen e tij në arrest shtëpie. Kërkesa u rrëzua nga gjyqtari për hetimet paraprake, por prokurorët paraqitën ankim në Gjykatën e Rishikimit. Seanca ishte caktuar për 1 dhjetor 2026.

Akuzat ishin ende objekt hetimi dhe nuk kishte një vendim gjyqësor që të vërtetonte përgjegjësinë e tij penale.

Gianni De Gennaro ishte një nga figurat më të njohura të institucioneve të sigurisë në Itali.

Ai drejtoi Policinë e Shtetit nga viti 2000 deri në vitin 2007.

Gjatë karrierës së tij, drejtoi edhe Drejtorinë Hetimore Antimafia (DIA), ndërsa më pas mbajti poste të rëndësishme në institucionet italiane të sigurisë dhe administratës publike.

Emri i tij lidhet gjithashtu me samitin e G8-s në Gjenovë në vitin 2001, kur ai ishte në krye të Policisë italiane.

Samiti u shoqërua me protesta masive dhe përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të rendit, përfshirë ngjarjet në shkollën “Diaz”, të cilat u bënë objekt i proceseve gjyqësore dhe kritikave ndërkombëtare.

Pas largimit nga drejtimi i Policisë, De Gennaro vazhdoi karrierën në poste të larta shtetërore, duke drejtuar edhe shërbimet e inteligjencës italiane dhe duke mbajtur funksione drejtuese në kompani publike. /

Lini një koment