“Iu dha një javë leje shpërblyese”- Petrit Ndoci u arratis dhe s’u kthye në qelitë e Reçit, Drejtoria e Burgjeve: Po
Petrit Ndoci u arratis nga Burgu i Reçit pasi nuk u kthye nga leja që i ishte dhënë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve del me reagim zyrtar.
Institucioni njofton se pasi u konfirmua se në orën 12:30 të ditës së sotme (21 gusht) Ndoci, i dënuar për grabitje dhe armë, nuk ishte kthyer në qeli, kanë nisur veprimet për lokalizimin e tij dhe shpalljen në kërkim.
Burgjet konfirmojnë se i kishin dhënë leje shpërblyese për një javë Ndocit, por ai e shfrytëzoi për arratisje.
“I dënuari P. N. kishte përfituar leje shpërblyese nga data 14.08.2026, ora 12:30, deri më 21.08.2026, ora 12:30. Pas konstatimit të moskthimit në kohë, strukturat e informacionit të IEVP Reç, Shkodër, kanë kryer verifikimet përkatëse. Nga kontakti me familjarët është marrë informacioni se i dënuari ishte larguar nga banesa gjatë orëve të mëngjesit. Për rastin janë njoftuar menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, ndërsa vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e tij”, thuhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar.
Më tej konfirmohet nisja e hetimeve edhe për procedurat dhe rastin në fjalë.
Ja çfarë thonë Burgjet në reagimin e tyre:
“Njoftim për një të dënuar që nuk është kthyer nga leja shpërblyese. Në IEVP Reç, Shkodër, i dënuari P.N., i sigurisë së zakonshme, i cili ndodhej me leje shpërblyese në fshatin Rukaj, Njësia Administrative Luf, Qarku Shkodër, nuk është paraqitur për t’u rikthyer në institucion në përfundim të afatit të lejes.
I dënuari P. N. kishte përfituar leje shpërblyese nga data 14.08.2026, ora 12:30, deri më 21.08.2026, ora 12:30.
Pas konstatimit të moskthimit në kohë, strukturat e informacionit të IEVP Reç, Shkodër, kanë kryer verifikimet përkatëse. Nga kontakti me familjarët është marrë informacioni se i dënuari ishte larguar nga banesa gjatë orëve të mëngjesit.
Për rastin janë njoftuar menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, ndërsa vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Policinë e Shtetit, po e ndjek me prioritet rastin dhe do të informojë publikun për zhvillimet e mëtejshme.