E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Teknologji›Jensen Huang ndërtoi një nga kompanitë më të vlefshme në botë, por a mund të detyrohet të largohet nga drejtimi i saj?

Jensen Huang ndërtoi një nga kompanitë më të vlefshme në botë, por a mund të detyrohet të largohet nga drejtimi i saj?

Drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron të qëndrojë në krye të kompanisë deri në fund të jetës së tij. Ai shpesh thekson rolin e tij në themelimin dhe zhvillimin e kompanisë, e cila sot është ndër më të vlefshmet në botë dhe prodhuesi kryesor i çipave për inteligjencën artificiale.

Megjithatë, pas më shumë se 33 vjetësh në krye të Nvidia-s, e ardhmja e tij në këtë pozitë është vënë në pikëpyetje. Një lidhje jashtëmartesore me një drejtuese të një kompanie kliente, e cila po hetohet nga Nvidia për dyshime lidhur me spiunazhin, mund të rrezikojë qëndrimin e tij në postin që mban që nga themelimi i kompanisë në vitin 1993.

Zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje jo vetëm për të ardhmen e Huangut, por edhe për atë se si do të funksiononte Nvidia pa njeriun që ka qenë në qendër të strategjisë dhe zhvillimit të saj për më shumë se tri dekada, transmeton Telegrafi.

Hetimi që mund të ndryshojë të ardhmen e Nvidia-s

Huang pranoi të dielën se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore, në të njëjtën kohë kur Nvidia njoftoi hapjen e një hetimi lidhur me raportimet se ai mund të ketë qenë “objekt i një operacioni të inteligjencës së huaj”.

Dy zhvillimet lidhen me shqetësimet rreth marrëdhënies së tij me Alice Huang, një drejtuese e kompanisë teknologjike Megaspeed, me seli në Singapor. Ajo nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidia-s.

Disa media amerikane kanë raportuar se zyrtarët amerikanë dyshojnë se Alice Huang mund t’i ketë përcjellë informacione Kinës dhe të ketë ndihmuar në kontrabandimin e çipave të avancuar për inteligjencën artificiale drejt këtij vendi.

“The New York Times” raportoi fillimisht për marrëdhënien mes tyre, duke publikuar edhe fotografi ku Alice Huang shfaqej përkrah Jensen Huangut, i cili është bërë një nga figurat më të njohura të industrisë globale të inteligjencës artificiale.

Hetimi i bordit të Nvidia-s është veçanërisht i rëndësishëm edhe për shkak të marrëdhënieve të afërta të Huangut me presidentin amerikan, Donald Trump, si dhe rolit të tij në diskutimet për politikat amerikane ndaj inteligjencës artificiale.

Huang ka mbështetur vazhdimisht lehtësimin e kufizimeve për tregtinë e teknologjisë së avancuar amerikane me Kinën. Ai udhëtoi me Trumpin drejt Kinës në fillim të këtij viti dhe në Lindjen e Mesme vitin e kaluar.

Gjithashtu, në shtator ai ishte ulur pranë presidentit amerikan gjatë një dreke në Shtëpinë e Bardhë, ku përfaqësues të industrisë së inteligjencës artificiale dhe politikës diskutuan një marrëveshje për vetërregullimin e kompanive në lidhje me rreziqet e kësaj teknologjie.

Pas zhvillimeve të fundit, investitorët kanë shprehur shqetësime për të ardhmen e kompanisë dhe mundësinë e largimit të Huangut. Aksionet e Nvidia-s ranë me 6 për qind të hënën.

“Largimi i Huangut do të sillte shumë pasiguri, veçanërisht për shkak të ndikimit të tij në strategjinë, kulturën dhe marrëdhëniet e Nvidia-s me kompanitë kryesore të teknologjisë”, tha Ken Mahoney, drejtor ekzekutiv i Mahoney Asset Management.

Ai shtoi se aksionet e kompanisë do të përballeshin me vështirësi edhe më të mëdha nëse Huang do të largohej, duke e cilësuar atë si një figurë jashtëzakonisht të rëndësishme për industrinë e teknologjisë dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale.

“Jensen është Nvidia”

“Kompaninë tonë e kemi ndërtuar në atë mënyrë që unë di si ta drejtoj. Prandaj, për aq kohë sa jam unë në krye, kjo është e gjitha ajo që ka rëndësi”, kishte deklaruar Huang në një intervistë për Bloomberg, rreth tre vjet e gjysmë më parë.

Që atëherë, roli i tij në kompani është bërë edhe më i rëndësishëm, ndërsa kërkesa për çipat e Nvidia-s është rritur ndjeshëm për shkak të zhvillimit të inteligjencës artificiale.

Sot, Nvidia vlerësohet në rreth 4.5 trilionë dollarë, afërsisht dy vjet pasi kaloi për herë të parë vlerën e një trilion dollarëve.

Një pjesë e rëndësishme e suksesit të Huangut lidhet me historinë e themelimit të kompanisë në vitin 1993. Sipas rrëfimit të tij, ai dhe bashkëthemeluesit e tjerë u ulën në një restorant të zinxhirit Denny’s, ku skicuan planin e biznesit për kompaninë e ardhshme të çipave.

Huang ka treguar se bashkëthemeluesit i besuan atij drejtimin e kompanisë, duke qenë se ai ishte personi që mund të merrej me aspektet e biznesit që ata nuk i kuptonin.

Ai gjithashtu ka theksuar disa herë se ka arritur ta shpëtojë Nvidia-n nga falimentimi në momente të vështira. Madje, një nga parullat më të njohura të kompanisë është: “Kompania jonë është gjithmonë 30 ditë larg falimentimit”.

Drejtuesit e Nvidia-s e përshkruajnë Huangun si një shef kërkues, i cili shpesh shfaq pakënaqësinë ndaj punonjësve edhe në publik. Megjithatë, ai njihet edhe për humorin dhe veçoritë e tij personale, ndërsa ka arritur të krijojë një nivel të lartë besnikërie mes stafit.

Huang është shprehur shpesh se synon t’i tejkalojë në kohë drejtuesit e tjerë të kompanive teknologjike. Ai ka bërë shaka me kolegët e tij se do të vazhdojë ta drejtojë Nvidia-n edhe kur fëmijët e tyre të marrin drejtimin e kompanive përkatëse.

Në fakt, ai nuk ka qenë mbështetës i planifikimit të pasardhësit të tij. Në një intervistë me podkasterin Lex Fridman në fillim të këtij viti, Huang tha se shpresonte të vdiste në zyrën e tij, duke vazhduar punën.

Ndikimi i tij lidhet edhe me aftësinë për të parashikuar zhvillimet teknologjike. Që në vitin 2013, rreth një dekadë para lansimit të ChatGPT-së, ai kishte kuptuar se procesorët grafikë të Nvidia-s mund të shërbenin si baza e fuqisë kompjuterike për inteligjencën artificiale.

Në vitin 2016, Nvidia i dhuroi kompanisë OpenAI një superkompjuter të fuqizuar nga procesorët e saj grafikë.

Pavarësisht nëse suksesi i kompanisë lidhet me aftësitë e veçanta të Huangut, intuitën apo edhe rrethanat e favorshme, ndikimi i tij në zhvillimin e Nvidia-s është i pamohueshëm.

Hetimi i fundit ka vënë në pikëpyetje drejtimin e një prej kompanive më të rëndësishme amerikane dhe të një prej figurave kryesore që kanë ndikuar në zhvillimin e inteligjencës artificiale, vlerësoi Stacy Rasgon, analist i lartë në Bernstein Research.

A mund të funksionojë Nvidia pa Jensen Huangun?

Megjithëse Huang konsiderohet figura qendrore e Nvidia-s, analistët theksojnë se asnjë kompani nuk varet plotësisht nga një person i vetëm.

Ken Mahoney vlerëson se Nvidia mund të vazhdojë aktivitetin edhe pa Huangun, ndonëse në planin afatgjatë mund të humbasë disa nga përparësitë që e kanë dalluar nga konkurrentët.

Ai përmendi si shembull kompaninë Apple, e cila vazhdoi të funksiononte edhe pas largimit të bashkëthemeluesit Steve Jobs.

“E njëjta gjë vlen për Nvidia-n sikurse për Apple-in: përparësitë e tyre konkurruese shkojnë përtej një individi të vetëm”, tha Mahoney.

Sipas tij, pyetja kryesore është nëse një pasardhës do të ishte në gjendje të ruante vizionin strategjik të Huangut dhe aftësinë e tij për të parashikuar drejtimin në të cilin po zhvillohet industria.

Analistët paralajmërojnë se hetimi mund të krijojë pasiguri afatshkurtër për Nvidia-n dhe industrinë e inteligjencës artificiale, por nuk pritet që aktiviteti i kompanisë të pësojë menjëherë ndryshime të mëdha.

Brian Colello, analist i lartë në Morningstar, tha se kompanitë e mëdha që blejnë çipat dhe programet e Nvidia-s për trajnimin e sistemeve të inteligjencës artificiale dhe qendrat e të dhënave nuk kanë gjasa të shkurtojnë menjëherë investimet për shkak të pasigurisë rreth pozitës së drejtorit ekzekutiv.

Megjithatë, ai theksoi se Huang ka pasur rol të rëndësishëm në sigurimin e financimit për zhvillimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale, duke ndihmuar edhe kompanitë e tjera që të përballojnë blerjen e teknologjisë së Nvidia-s.

Sipas Colellos, nëse një nga drejtuesit më me ndikim në industrinë e inteligjencës artificiale largohet nga skena, kostot e financimit për investimet e ardhshme mund të rriten.

Për momentin, hetimi është vetëm në fazat fillestare dhe nuk është e qartë nëse do të çojë në largimin e Huangut. Por një gjë është e sigurt: çdo ndryshim në drejtimin e Nvidia-s do të ndiqet nga afër nga investitorët dhe e gjithë industria e inteligjencës artificiale. /Telegrafi/

Lini një koment