Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaKapet në flagrancë zjarrvënësi në Mirditë, Lamallari thirrje Prokurorisë: Çojeni çështjen deri në fund (VIDEO)

Kapet në flagrancë zjarrvënësi në Mirditë, Lamallari thirrje Prokurorisë: Çojeni çështjen deri në fund (VIDEO)

Një person është arrestuar në flagrancë nga Policia në Mirditë, pasi dyshohet se ka ndezur qëllimisht disa vatra zjarri në fshatin Gziq të Rrëshenit.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili ka reaguar përmes një postimi, duke kërkuar që çështja të hetohet deri në fund dhe autori të përballet me përgjegjësinë penale, nëse fajësia provohet.

Sipas Lamallarit, personi i arrestuar, banues në fshatin Gziq, dyshohet se ka ndezur tre vatra zjarri, duke shkaktuar djegien e rreth 400 metrave katrorë sipërfaqe pyjore.

Vatrat janë vënë nën kontroll nga shërbimet e Policisë së Mirditës, të cilat, sipas zëvendësministrit, kanë qenë në ndjekje në terren prej tre ditësh. I dyshuari dyshohet gjithashtu se është i përfshirë në disa raste të tjera zjarrvënieje në territorin e Bashkisë Mirditë.

Lamallari u ka bërë thirrje strukturave të drejtësisë që të vijojnë hetimet dhe të sigurojnë prova të plota për rastin.

“Apeli im për Prokurorinë është i drejtpërdrejtë: kjo çështje duhet të shkojë deri në fund. Hetim i plotë, prova të plota dhe përgjegjësi penale për autorin, nëse fajësia provohet”, ka deklaruar ai.

Sipas Lamallarit, arrestimi i të dyshuarit ka parandaluar edhe përhapjen e mëtejshme të zjarreve në zonë.

“Zjarri i qëllimshëm është krim me autor”, është shprehur ministri, duke theksuar se Policia do të vijojë identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për zjarrvënie, ndërsa Prokuroria dhe gjykatat duhet të ndjekin procedurat përkatëse ligjore.

Hetimet për rastin në Mirditë vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Lini një koment