E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi fshikullohet me 74 goditje me kamzhik për videon pa shami në YouTube

Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi fshikullohet me 74 goditje me kamzhik për videon pa shami në YouTube

Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi dhe katër anëtarë të ekipit të saj të produksionit janë fshikulluar secili me 74 goditje me kamzhik, siç njofton Shqiptarja.com. Ata ishin shpallur më parë fajtorë për cenim të moralit publik përmes prodhimit dhe publikimit në internet të përmbajtjes së pahijshme, sipas vendimit të gjykatës ndaj tyre.

Përveç dënimit trupor, Ahmadi dhe katër personat e tjerë u dënuan edhe me ndalim dyvjeçar të veprimtarive artistike dhe muzikore, si dhe të udhëtimit jashtë vendit. Lajmin e bëri të ditur avokati Mostafa Nili, sipas faqes Emtedad, citon Shqiptarja.com.

Çështja lidhet me një video të publikuar në YouTube në dhjetor të vitit 2024, në të cilën Ahmadi këndonte pa hixhabin e detyrueshëm, së bashku me muzikantë meshkuj, në një qytet në jug të Teheranit. Informacionin e raportoi organizata e të drejtave të njeriut Hengaw, me seli në Norvegji.

Qeveritë perëndimore dhe organizatat e të drejtave të njeriut e kritikuan fshikullimin si torturë dhe si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Irani i hedh poshtë akuzat lidhur me bilancin e tij në fushën e të drejtave të njeriut. Rregullat që i detyrojnë gratë të mbajnë hixhabin u kthyen në një pikë të nxehtë të protestave të vitit 2022, pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Aminit, e arrestuar nën dyshimin se kishte shkelur kodin e veshjes.

Lini një koment