“Keni nevojë për unitet”- Skandali në SHISH, flet zv/ministri i Jashtëm polak: Shqetësues, por Shqipëria është në r
Rasti i drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila po hetohet nën dyshimin për nxjerrje të informacionit të klasifikuar, u trajtua edhe në intervistën e zv.ministrit të Jashtëm polak Marcin Bosacki, për emisionin “Rretheqark”, në A2 CNN.
Sipas zv.ministrit Bosacki edhe pse ky është një rast shqetësues, Shqipëria është në rrugën e duhur të integrimit në BE.
“Kur një drejtues i një shërbimi inteligjence përfshihet në një skandal në një vend, kjo është shqetësuese. Dhe kjo është e rrallë. Por unë do të doja ta shihja gotën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Po, Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, ka probleme me korrupsionin ose me lidhjet jo të qarta mes politikës, shërbimeve speciale dhe biznesit. Por, Shqipëria është në një rrugë të mirë drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh ai për A2 CNN.
Sa i përket sfidave të Shqipërisë, zyrtari polak nënvizoi nevojën për unitet politik, harmonizim të legjislacionit, procese të mira zgjedhore dhe standarde demokratike.
“Ajo për të cilën Shqipëria ka më shumë nevojë është uniteti. Por anëtarësimi në strukturat perëndimore dhe veçanërisht në Bashkimin Evropian kërkon vendosmëri dhe unitet nga të gjitha forcat dhe partitë politike në vend. Ajo që më shqetëson këtu është se ndoshta duhet të keni një vizion të qartë për ta bashkuar vendin rreth këtij qëllimi. Bashkë me këtë vjen edhe lidhja e mirë me popullsinë, harmonizimi i ligjeve, procese të mira zgjedhore, standarde demokratike. Shqipëria është në rrugën e duhur. Por po, ka disa gjëra që duhen ndryshuar, për t’i bërë edhe më të mira. Ne po i mbajmë gishtat të kryqëzuar që Shqipëria dhe populli i saj të bëhen së shpejti anëtarë të Bashkimit Evropian. Unë vërtet besoj se kjo është e mundur brenda pak vitesh. Dhe uniteti i qeverisë dhe i forcave të tjera politike në vend mund të ndihmojë në këtë detyrë ambicioze”, theksoi ai në A2 CNN.
Zv.ministri i Jashtëm polak vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin Shqipëri-Poloni në fushën e sigurisë dhe integrimit evropian, duke thënë se Varshava është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë me ekspertizë dhe përvojën e saj në procesin e anëtarësimit në BE.
“Ne mbyllëm vetëm pak muaj më parë tre kapituj. Ne po ndihmojmë. Kam zhvilluar bisedime me ministrin tuaj të Jashtëm, zotin Hoxha, me kryenegociatoren tuaj, zonjën Duka. Dhe ramë dakord që ekspertët polakë, por edhe negociatorët polakë nga 22, 23, 24 vite më parë, kur Polonia iu bashkua Bashkimit Evropian, do t’ju ndihmojnë. Por duhet t’ju them gjithashtu se kam zhvilluar bisedime të gjera me zëvendësdrejtuesin e institucionit tuaj kundër korrupsionit, SPAK. Pra, po, ne duam të ndihmojmë qeverinë për të përgatitur më mirë vendin, administratën dhe legjislacionin për anëtarësimin në BE. Por gjithashtu shohim potencialin, pengesat dhe problemet me të cilat përballet ky vend i madh. Dhe duam të ndihmojmë edhe në këtë drejtim”.
Gjatë intervistës ai foli edhe për kërcënimet që paraqet Rusia për sigurinë evropiane, luftën hibride, sulmet kibernetike, sabotimet dhe përdorimin e dronëve, si dhe për rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës.
“Evropa dhe siguria e Evropës janë në një situatë shumë të vështirë për shkak të një personi dhe një vendi. Personi quhet Vladimir Putin dhe vendi quhet Rusi. Sigurisht, ka edhe faktorë të tjerë destabilizues në botë, siç është, lufta që vijon në Lindjen e Mesme. Por për Poloninë dhe për NATO-n si të tillë, dhe për Bashkimin Evropian, kërcënimi kryesor është ajo që Vladimir Putin dhe Rusia po bëjnë në Ukrainë, por gjithnjë e më shumë edhe aktivitetet e ashtuquajtura hibride në Evropë. Kemi raketa dhe dronë, raketa dhe dronë rusë. Në Poloni dhe në shtetet baltike, kemi aktivitet të shërbimeve speciale ruse kundër aeroporteve në Gjermani dhe Danimarkë. Kemi atentate në të gjithë Evropën, nga Britania e Madhe deri në Poloni. Kjo është e rrezikshme. Putini po luan me zjarrin”.
Për këto ai sugjeroi që Europa të jetë e bashkuar dhe të ashpërsojë sanksionet ndaj Rusisë.
“Ajo që duhet të bëjmë ne si Bashkim Evropian, si Evropë në tërësi dhe si NATO, është të qëndrojmë së bashku, të ndihmojmë Ukrainën dhe t’i tregojmë Putinit se nuk mund të na përçajë. Dhe Shqipëria dhe Polonia janë vërtet shembujt më të mirë të kësaj. Ne bashkërendojmë politikat tona. Jemi të ashpër në sanksionet ndaj Rusisë. Dhe nëse Putini sheh se Aleanca e Atlantikut të Veriut dhe Evropa si e tërë janë të bashkuara, ai do të mendohet dy ose tri herë përpara se të sulmojë ndonjë vend tjetër në Evropë përveç Ukrainës”.