Kos: Siguria e Evropës varet nga stabiliteti në Ballkan, rajonin duhet ta pranojmë në BE
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos tha të martën se siguria e Evropës është e lidhur ngushtë me stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe se Bashkimi Evropian duhet të gjejë mënyra praktike për ta afruar rajonin ku bën pjesë edhe Kosova, më shpejt me strukturat evropiane.
Ajo bëri këtë koment pas takimit të parë ministror të ministrave të Jashtëm të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Bratisllavë të Sllovakisë
“Siguria e Evropës është shumë e lidhur me stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Prandaj duhet të gjejmë mënyra praktike për ta afruar rajonin me Bashkimin Evropian. Nga e kaluara e dimë se vetëm dy vende të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të BE-së: Kroacia dhe Sllovenia. Prandaj duhet të bëjmë më shumë dhe kjo ishte në qendër të diskutimit tonë sot, si mund ta arrijmë këtë”, tha Kos.
Kos tha se BE-ja nuk mund të lejojë që boshllëqet e sigurisë të rriten në fqinjësinë e saj, teksa shtoi se në këtë situatë gjeopolitike “të çmendur”, për herë të parë ka forca të jashtme destabilizuese që duan ta shohin BE-në dhe vendet aspiruese të dështojnë në procesin e anëtarësimit dhe se ato forca mund të ndërhyjnë dhe t’i përdorin “këto vende kundër nesh”.
“Me Shqipërinë kemi hapur të gjithë kapitujt dhe shpresojmë të ecim drejt mbylljes së tyre sa më shpejt të jetë e mundur. Maqedonia e Veriut kohët e fundit ka përshpejtuar ritmin e reformave, por ambicia jonë është që i gjithë rajoni të ecë përpara. Sepse në fund të fundit, të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian si anëtarë të barabartë, me të drejta dhe përgjegjësi të plota, të bazuara në harmonizim të plotë me ligjet dhe vlerat e BE-së”, tha Kos.