Kosova bind dy talentë të Bayernit, Lamar Rama dhe Florent Krasniqi marrin ftesat e para
Federata e Futbollit e Kosovës ka bindur edhe dy talentë të tjerë për të përfaqësuar Kosovën, siç njofton Telegrafi. Bëhet fjalë për mbrojtësin e krahut të djathtë Lamar Rama dhe anësorin Florent Krasniqi, të cilët kanë nisur të bëjnë emër në grupmoshat e Bayern Munichut.
Të dy lojtarët janë ftuar për herë të parë nga Kosova U17, me ftesë të përzgjedhësit Fadil Berisha, për tri ndeshjet që zhvillohen më vonë këtë muaj. Kosova do të përballet me Belgjikën, Kroacinë dhe Letoninë, në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Evropian U17.
Lamar Rama këtë edicion ka zhvilluar gjashtë paraqitje për Bayernin në grupmoshat e reja, në U17 DFB Youth League. Ai ka edhe dy vite kontratë me skuadrën gjermane dhe, nëse e dëshmon veten, mund të promovohet në ekipin U19, ku luajnë edhe Erblin Osmani e Yll Gashi.
Afrimi tjetër, Florent Krasniqi, është edhe më i bujshëm: anësori është i padiskutueshëm në formacionin e Bayernit në grupmoshën e tij, me 11 paraqitje në U17 DFB Youth League, ku ka realizuar 11 gola dhe ka dhuruar një asistim.