Kroatit Karoglan i mbarojnë alibitë, premtimi pas Kombëtares mbetet në letër
Mislav Karoglan kishte kërkuar kohë për të ndërtuar Partizanin që dëshironte, duke e lidhur përmirësimin e skuadrës edhe me ndërprerjen e kampionatit për shkak të impenjimeve të ekipeve kombëtare.
Trajneri kroat kishte qenë i qartë në deklaratën e tij pas humbjes me Elbasanin, duke premtuar se pas kësaj periudhe të kuqtë do të shfaqeshin ndryshe në fushën e lojës. Megjithatë, rikthimi i kampionatit nuk solli ndryshimin e pritur.
Partizani u mposht dhe kështu premtimi i trajnerit nuk u shoqërua me një përgjigje pozitive në fushë. Tashmë Karoglan nuk ka më hapësirë për t’u mbështetur te periudha e përshtatjes apo te mungesa e kohës për të punuar me skuadrën. Pritshmëritë janë më të mëdha dhe rezultatet kërkohen menjëherë.
DEKLARATA
Pas humbjes me Elbasanin, Karoglan ishte pyetur se kur do të shihej Partizani që ai kërkonte. Në përgjigjen e tij, tekniku kroat kishte pranuar se ende nuk kishte arritur ta shihte skuadrën në nivelin e dëshiruar, por kishte kërkuar durim deri pas pushimit të kampionatit.
“Momentalisht nuk kam mundur të shikoj skuadrën larg. Sigurisht, pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të impenjimeve të ekipeve kombëtare do të kemi një skuadër ndryshe, këtë jua premtoj. Në këtë moment Elbasani është ndeshja më e rëndësishme, është objektivi ynë kryesor. Mesazhi im për lojtarët është që nuk jam një trajner që e zë paniku.
Dhe nuk jemi një klub që zihet në panik. Ajo që duhet të bëjmë është të gjejmë grindën, krenarinë dhe të luajmë për këto ngjyra në nivelet që kërkohen. Nuk duhet të kemi frikë nga asgjë”, deklaronte Karoglan.
PRESIONI
Tashmë, pas rikthimit në kampionat dhe humbjes së pësuar, trajneri kroat duhet të japë përgjigje në fushën e lojës. Premtimi për një Partizan ndryshe pas ndërprerjes së Kombëtares nuk u realizua në ndeshjen e parë, ndërsa presioni mbi teknikun rritet.
Për Karoglanin, sfida e radhës do të jetë një mundësi për të treguar se skuadra mund të reagojë dhe se fjalët e tij mund të kthehen në rezultate. Në këtë pikë, të kuqtë kanë nevojë për më shumë se deklarata: duhet të tregojnë ndryshimin që trajneri kishte paralajmëruar.