Lideri i Vorës: fitorja ndaj Tiranës, një detyrim për ne
Nga Abdulla Dushku, Panorama Sport
Me seancën stërvitore të ditës së sotme, Vora u jep fund përgatitjeve ndaj Tiranës dhe do të jetë e gatshme nesër, në stadiumin e saj, përballë bardhebluve, duke synuar fitoren ndaj tyre. Për të dhe qendërmbrojtësin Dajan Shehi, nuk ka alibi tjetër, pasi për të “fitorja është një detyrim”.
Kështu, Vora pas 12 ditësh ndërprerje të kampionatit, do të jetë gati për të hequr nga harresa atë humbje të thellë, gjatë fazës së parë, kur Tirana e mundte 4-0, në ndeshjen më të dobët të zhvilluar gjatë këtij sezoni nga ana e tyre. Ecuria jo në lartësinë e kërkuar e vorakëve e bën këtë sfidë mjaft interesante, me blutë vorakë që duan patjetër të fitojnë për t’iu bashkuar në renditje kryeqytetasve bardheblu.
Ndaj, edhe pse luhet java e 12-të e kampionatit, në Vorë mund të rrezikohen shumë hesapet me Superioren, nëse nuk i marrin tri pikët Tiranës. E për këtë sfidë vorakët kanë pasur shumë ditë përgatitjesh në dispozicion, për shkak të ndërprerjes së kampionatit.
DEKLARATA – Në një prononcim për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi vorak, elbasanasi Dajan Shehi, shprehet: “Nuk jemi në një situatë të mirë, për sa u përket pikëve dhe renditjes, por në rast të një fitoreje ne do të barazonim me pikë kundërshtarin e radhës, duke u ngjitur edhe në renditje. Për ne mbetet një detyrim fitorja në këtë ndeshje dhe skuadra gjatë gjithë këtyre ditëve është përgatitur, vetëm në kuadër të kësaj ndeshjeje. Luajmë në fushën tonë e normalisht do të kërkojmë të fitojmë, ashtu siç kemi bërë gjithnjë ndaj çdo kundërshtar, edhe pse nuk i kemi marrë pikët e duhura këtë sezon. Ka ardhur momenti që Vora të nisë një seri rezultatesh pozitive dhe kam shumë besim te kjo skuadër dhe shokët e ekipit. E kështu mobilizimi ynë do të jetë maksimal. Tirana ka një skuadër të mirë dhe ne e respektojmë atë, siç kemi respektuar çdo kundërshtar që kemi pasur përballë. E kam thënë vazhdimisht edhe më parë që në këtë sezon synojmë gjashtëshen e parë të renditjes dhe çdo gabim ne mund të na kushtojë shumë, ndaj duhet të tregojmë kujdesin e duhur në këtë përballje”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën 29-vjeçari, Dajan Shehi.