Friday, 4 September 2026
54°F Detroit
BallinaKampionati boterorLufta e futbollit, UEFA e kërcënoi me kallëzim penal dhe kërkoi “kokën” e Infantinos, FIFA reagon ashpër: Fushatë shp

Lufta e futbollit, UEFA e kërcënoi me kallëzim penal dhe kërkoi “kokën” e Infantinos, FIFA reagon ashpër: Fushatë shp

U desh pak kohë, por përgjigja erdhi dhe konfimon edhe një herë çarjen e madhe mes dy organizatave më të mëdha të futbollit në botë.

FIFA deklaron se kërkesat ligjore të bëra nga UEFA për të pasur qasje në dokumentet, që lidhen me planin e diskutueshëm për investitorë privatë, janë pjesë e një “fushatë shpifjesh” kundër organit drejtues botëror të futbollit.

UEFA po u drejtohet gjykatave amerikane për të siguruar prova dhe dokumentacion në lidhje me “FIFA Forward Enterprise”, një kompani private që parashikohej të menaxhonte Kupën e Botës dhe kompeticione të tjera madhore.

Muajin e kaluar, FIFA konfirmoi se plani kishte qenë shitja e një kuote prej 20 për qind të asaj kompanie te investitorë privatë. Plani u tërhoq më pas nga presidenti Gianni Infantino, më 1 gusht, pas kundërshtimeve nga UEFA, Konfederata Aziatike e Futbollit dhe konfederata për vendet e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve.

Kjo tërheqje nuk e ka ndalur UEFA të vazhdojë veprimet ndaj Infantinos dhe zyrtarëve të tjerë të FIFA, ndërsa dokumentet e kërkuara do përdoreshin për përgatitjen e procedimeve të mundshme penale ndaj Infantino dhe bashkëpunotërëve të tij të ngushtë.

FIFA kërkoi leje për të kundërshtuar kërkesën e UEFA në gjykatën e Distriktit Jugor të Floridës, një kërkesë që u miratua nga gjykata. Ajo tani ka afat deri më 28 shtator për të dorëzuar një kundërshtim të plotë në atë gjykatë.

Një kërkesë e ngjashme për kundërshtim u dorëzua të martën edhe në gjykatën e Distriktit Jugor të Nju Jorkut. Dokumentet nga ekipi ligjor i FIFA i përshkruajnë kërkesat e UEFA si “pak më shumë sesa thjesht deklarata për shtyp në mbështetje të mëtejshme të fushatës së shpifjeve të UEFA-s kundër FIFA-s dhe udhëheqjes së saj”.

Lini një koment