Masa ndaj shefes së SHISH, opozita kërkon llogari në komisionet parlamentare
Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga detyra i drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ka shkaktuar debate në disa komisione parlamentare, ku deputetë të opozitës kanë kërkuar përgjegjësi politike, ndërsa mazhoranca ka bërë thirrje për të pritur përfundimin e procesit të drejtësisë.
Në Komisionin e Sigurisë dhe Çështjeve të Brendshme, ku po diskutohej marrëveshja për Gazën, deputeti i PD-së, Klevis Balliu, e cilësoi masën ndaj Hysenit si shqetësuese për sigurinë kombëtare.
“Përpara se të merreni me sigurinë e botës, merruni njëherë me sigurinë në Shqipëri, sepse qartazi siguria kombëtare këtu ka rënë, siguria e shtetit ka rënë. Duhet të bëjmë kërkesa për informacion për të gjitha institucionet duke filluar nga kryeministri Edi Rama”, tha Rama.
Kreu i Komisionit, Bledi Çuçi, iu përgjigj duke theksuar se përgjegjësia është individuale dhe se çështja duhet të lihet në dorë të drejtësisë.
“Institucionet nuk janë emra të veçantë, përgjegjësia është personale, sikundër çdo njeri është i pafajshëm derisa të dënohet, së dyti sa mirë që funksionon ndarja e pushtetit. Duhet të krenohemi që kemi ngritur një shtet ku pushtetet janë të pavarura. Pa e zbardhur plotësisht drejtësia ne nuk mund të flasim për këtë çështje”, tha Çuçi.
Debati kishte edhe në Komisionin për Politikën e Jashtme. Deputeti i PD-së, Tritan Shehu, kërkoi që kryeministri Edi Rama të thirret në Kuvend për të dhënë shpjegime mbi emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH-it.
Shehu e cilësoi masën e sigurisë si një ngjarje që, sipas tij, prek imazhin dhe besueshmërinë e Shqipërisë te aleatët e NATO-s.
“Ka rënë shteti shqiptar, imazhi i Shqipërisë, besueshmëria ndërkombëtare e Shqipërisë dhe ne, si Komision i Jashtëm, nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Arresti shtëpiak i shefes së SHISH-it, Vlora Hyseni, është ngjarje e paprecedentë dhe komprometuese për ata që e vunë atë zonjë. Komprometon rëndë qeverisjen shqiptare, shtetin shqiptar”, tha ai.
Shehu kërkoi që kryeministri të paraqitet në Kuvend dhe të japë shpjegime për emërimin e Hysenit.
Ndërkohë, një tjetër reagim nga mazhoranca erdhi nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Ai tha se institucionet e drejtësisë po bëjnë detyrën e tyre dhe e cilësoi këtë si tregues të funksionimit të shtetit të së drejtës.
“Keni të drejtën e fjalës dhe të gjykimit qoftë nga këndvështrimi i opozitës, qoftë personal, u fol për institucionet, por në fakt çdo institucion ka detyrën dhe përgjegjësinë e vet. Institucionet e drejtësisë penale kanë funksion ndjekjen penale, ne kemi detyrën tonë si ligjvënës për kontrollin parlamentar. Sa i përket fjalisë ‘institucionet arrestojnë njëri-tjetrin’, institucionet nuk arrestojnë individët, institucionet bëjnë detyrën, konform ligjit”, tha ai.
Xhafaj shtoi se parlamenti nuk mund të zëvendësojë institucionet e drejtësisë dhe se çdo çështje që lidhet me përgjegjësitë e Kuvendit mund të shqyrtohet në rrugë parlamentare.
Po ashtu debate kishte edhe në Komisionin për Nismat Qytetare. Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, e cilësoi ngjarjen si dëshmi, sipas tij, të rënies së institucioneve shtetërore dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kaso tha se opozita e kishte kundërshtuar më herët emërimin e Hysenit në krye të SHISH-it dhe kërkoi që komisionet parlamentare të nisin seanca dëgjimore për të shqyrtuar mënyrën e funksionimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve të sigurisë.
“Dua të flas për një çështje me rëndësi për parlamentin, institucionet e shtetit shqiptar dhe mirëfunksionimin e institucioneve. Besoj se kjo seancë sot, dhe seancat e asnjë institucioni publik sot s’mund të fillojnë në mënyrë të zakonshme sepse ka ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme. Sot është vërtetuar dhe certifikuar përfundimisht rënia e shtetit shqiptar”m tha ai.
Kaso e lidhi gjithashtu masën ndaj Hysenit me pretendimet e opozitës për kontaktet e saj me persona nën hetim nga SPAK dhe kërkoi përgjegjësi nga drejtuesit politikë dhe institucionalë.
“Opozita ka denoncuar një person që ishte shkarkuar nga institucione të njëjta sigurie në Kosovë, ishte e papërshtatshme për të drejtuar SHISH. Dhe kryeministri doli dhe dha garanci që ky është personi i përshtatshëm, ky është personi i duhur. Sot duhej të kishte dorëheqje duke filluar nga kryeministri”, tha ai.
Në vijim, Kaso kërkoi që Komisioni dhe Komisioni i Sigurisë të organizojnë seanca të përbashkëta dëgjimore për mënyrën se si është mbikëqyrur SHISH-i dhe për trajtimin e informacionit shtetëror.