Tuesday, 30 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaMinistri Malaj njofton ndryshimet në buxhet, indeksimi i pensioneve nis më 1 korrik

Ministri Malaj njofton ndryshimet në buxhet, indeksimi i pensioneve nis më 1 korrik

Qeveria ka miratuar Aktin Normativ për disa ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2026, duke parashikuar fonde shtesë për pensionet, shëndetësinë, mbrojtjen, si dhe mbështetjen e bujqësisë dhe biznesit.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se ndryshimet vijnë si rezultat i ecurisë pozitive të ekonomisë shqiptare gjatë 5-mujorit të parë të vitit, duke krijuar hapësira për financimin e politikave sociale dhe investimeve publike.

Sipas tij, për indeksimin e pensioneve që do të nisë më 1 korrik është vënë në dispozicion një fond prej rreth 872 milionë lekësh. Ai shtoi se nga viti i ardhshëm, indeksimi i pensioneve pritet të kryhet në muajin prill.

Një nga masat kryesore të aktit normativ është edhe dyfishimi i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, me një fond prej rreth 750 milionë lekësh, nga i cili pritet të përfitojnë mbi 10 mijë fëmijë. Po ashtu, shteti do të mbulojë edhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar rreth 2 miliardë lekë.

Në sektorin e shëndetësisë, janë parashikuar 1.5 miliardë lekë shtesë për barnat e onkologjikut, si dhe rritje pagash për personelin e urgjencës mjekësore. Gjithashtu, do të alokohen fonde shtesë për pagesën e orëve shtesë të punës së zjarrfikësve.

Në fushën e mbrojtjes, buxheti parashikon 10.3 miliardë lekë shtesë, me synim rritjen e kapaciteteve dhe arritjen e objektivit për financimin e mbrojtjes në nivelin 2.6% të PBB-së, në përputhje me angazhimet ndaj NATO-s.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu rritjen e Garancisë Sovrane nga 3 në 5 miliardë lekë, duke zgjeruar skemën nga bujqësia edhe te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Ministri Malaj theksoi se këto masa synojnë forcimin e mbështetjes për shtresat në nevojë dhe rritjen e investimeve në sektorët prioritarë të ekonomisë.

Lini një koment