Ndahet nga jeta Prof. Skerdi Prifti, mjeku dhe pedagogu i njohur i gastrohepatologjisë
Është ndarë papritur nga jeta Prof. Skerdi Prifti, mjek, pedagog dhe studiues i njohur në fushën e gastrohepatologjisë.
Lajmi është bërë i ditur nga Fakulteti i Mjekësisë në Tiranë, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur ngushëllimet për familjen e Prof. Priftit, duke vlerësuar kontributin e tij në mjekësi, pedagogji dhe kërkimin shkencor.
Prof. Prifti kishte një karrierë të gjatë profesionale, me një angazhim të veçantë në gastrohepatologji, si dhe në zhvillimin e endoskopisë diagnostike dhe terapeutike.
Gjatë karrierës së tij, ai ka drejtuar Njësinë e Endoskopisë pranë Shërbimit të Gastrohepatologjisë në QSUT. Gjithashtu, ka shërbyer si drejtues i Departamentit të Sëmundjeve të Brendshme në Fakultetin e Mjekësisë.
Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje për komunitetin mjekësor dhe akademik, ndërsa kolegët dhe studentët e tij kanë vlerësuar ndër vite kontributin në formimin e profesionistëve të rinj dhe në zhvillimin e mjekësisë.