E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Ndërpritet qarkullimi i trenave në Kosovë, shkak greva e punëtorëve

Ndërpritet qarkullimi i trenave në Kosovë, shkak greva e punëtorëve

Qarkullimi i trenave në Kosovë pritet të ndërpritet sot, më 9 nëntor, për shkak të grevës së paralajmëruar nga organizatat sindikale të Infrakos.

Ndërmarrja Trainkos ka njoftuar se treni nr. 4201, i cili niset nga Prishtina në orën 07:50, do të ndalojë në Fushë-Kosovë, pasi Infrakos pritet të ndërpresë ofrimin e shërbimeve infrastrukturore në orën 08:00.

Sipas njoftimit, pas këtij treni, të gjitha linjat e tjera do të pezullohen deri në normalizimin e situatës.

Trainkos ka kërkuar mirëkuptim nga udhëtarët, duke theksuar se shërbimet e transportit hekurudhor do të rikthehen sapo të krijohen kushtet.

“Trainkos Sh.A. kërkon mirëkuptimin e të gjithë udhëtarëve për këtë situatë të krijuar jashtë mundësive tona operative dhe rikonfirmon përkushtimin e saj për rikthimin e shërbimeve të transportit hekurudhor sa më parë që të krijohen kushtet. Për çdo ndryshim tjetër do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e Trainkos-it.

Punëtorët e Infrakos kishin paralajmëruar grevën gjatë protestës së 26 tetorit, të mbajtur para stacionit hekurudhor në Fushë-Kosovë.

Ata kërkojnë indeksimin e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë, duke akuzuar bordin dhe menaxhmentin për mosplotësimin e kërkesave të tyre.

Lini një koment