Nga muzika te teatri i kukullave, Shqipëria mirëpret Javën Kulturore Kineze
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se prej datës 22 e deri më 25 shtator, Shqipëria mirëpret Javën Kulturore Kineze, një aktivitet që sjell për publikun artin, muzikën, traditat, letërsinë dhe kulturën mijëravjeçare të Kinës.
“Një kulturë mijëravjeçare, e pasur me art, tradita, muzikë, letërsi dhe histori, që ka lënë gjurmë dhe ka ndikuar në zhvillimin kulturor të shumë shoqërive në Azi dhe më gjerë, vjen në Shqipëri përmes një programi të veçantë”, tha ministri Gonxhja.
Kjo javë kulturore është pjesë e edicionit të 5-të të Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe programi i saj do të përfshijë aktivitete të ndryshme, nga jazz-i dhe muzika tradicionale te arti i kukullave, letërsia, sporti dhe ndërveprimi me publikun.
Një prej aktiviteteve kryesore është shfaqja e teatrit tradicional kinez të kukullave, ku do të prezantohen tre stile: kukullat me fije, me dorë dhe me shkop. Publiku do të ndjekë histori si “Monkey King Kung-Fu”, “Monkey Training”, “Puppet Fighting” dhe “Face Change”, ndërsa aktiviteti do të ketë edhe lojëra interaktive dhe pjesëmarrje të fëmijëve në skenë.
Shfaqja do të nisë Javën Kulturore Kineze, më 22 shtator, në Teatrin e Kukullave në Tiranë, dhe më 24 shtator, në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë.
Aktiviteti organizohet në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Kukullave në Tiranë.
Një tjetër aktivitet i Javës Kulturore Kineze është “Të zbulosh Kinën nëpër libra” që vjen si një ftesë për t’iu afruar kulturës, letërsisë dhe traditës kineze përmes botimeve që i sjellin ato më pranë lexuesit shqiptar.
Në qendër të tij do të jetë promovimi i librit “Legjenda kineze”, tashmë në gjuhën shqipe, një udhëtim në botën e lashtë dhe magjepsëse të rrëfimeve kineze, ku historia, miti dhe imagjinata ndërthuren në tregime që kanë udhëtuar ndër shekuj.