Një muaj paraburgim për djalin që dyshohet se vrau aksidentalisht babanë në Deçan
Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit E.H., i cili dyshohet për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Penal, të datës 24 korrik 2026.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë-Divizioni Penal për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.H., ashtu që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Rasti lidhet me dyshimet se i pandehuri, E.H, ka privuar aksidentalisht nga jeta babanë e tij, Sh.H, në fshatin Strellc të Deçanit.
Gjykata ka bërë të ditur se masa e paraburgimit është caktuar në bazë të dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Ndaj këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Pejë. /Telegrafi/