Friday, 25 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Një muaj paraburgim për të dyshuarin në Mitrovicë, tentoi ta vriste me thikë një person

Një muaj paraburgim për të dyshuarin në Mitrovicë, tentoi ta vriste me thikë një person

Personi me inicialet B.R., i cili dyshohet se më 18 korrik tentoi ta vriste me thikë B.M. në Mitrovicë, është dërguar në paraburgim për një muaj.

Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, e cila ka caktuar masën e paraburgimit për periudhën nga 18 korriku deri më 18 gusht 2026, ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësja e kësaj gjykate, Hateme Haxhaj.

Sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, B.R. dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta B.M., duke e goditur disa herë me thikë në kokë, në anën e majtë të brinjëve dhe në pjesën e pasme të kraharorit.

Si pasojë e sulmit, i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ndaj B.R.-së rëndojnë dyshimet për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I dyshuari ishte arrestuar më 18 korrik dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, ishte ndaluar deri në shqyrtimin e kërkesës për paraburgim, të cilën Gjykata e ka aprovuar. /Kp/

Lini një koment