Wednesday, 23 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosova“Nuk dënohen çlirimtarët, ata janë heronj”: Protestohet para selisë së OKB-së në Nju Jork kundër vendimit të Hagës

“Nuk dënohen çlirimtarët, ata janë heronj”: Protestohet para selisë së OKB-së në Nju Jork kundër vendimit të Hagës

Shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u mblodhën të martën në Nju Jork dhe protestuan para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protestuesit kërkuan lirimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Në duart e protestuesve u panë pankarta me mesazhe si "Drejtësi, jo politikë", "Lironi heronjtë tanë", "Heronj të luftës e të paqes" dhe "Ku janë kriminelët që masakruan 147 civilë në Izbicë". Ata brohoritën "Nuk dënohen çlirimtarët", "Ata janë heronj" dhe "UÇK", ndërsa valëvitën flamuj të SHBA-së, të Shqipërisë dhe të UÇK-së.

Protesta në Nju Jork vjen pas valës së demonstrimeve që nisën më 16 shtator, kur Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Sipas vendimit, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Që nga shpallja e vendimit, protesta janë mbajtur në Kosovë dhe në diasporë, përfshirë Kanadanë, Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë, ku komunitetet shqiptare kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj procesit gjyqësor.

Burimi: Klan Kosova

Lini një koment