E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Opozita kërkon lista të hapura, Berisha: Mazhoranca po shkel ligjin në Reformën Zgjedhore

Opozita kërkon lista të hapura, Berisha: Mazhoranca po shkel ligjin në Reformën Zgjedhore

Demokratët shprehen të qartë në qëndrimin e tyre për listat e hapura dhe sipas numrit një të selisë blu Sali Berisha, opozita dhe aleatët e saj janë bashkuar rreth kësaj kërkese dhe nuk bëjnë kompromis.

“Përfaqësuesit tanë kanë studiuar propozimet e forcave politike opozitare dhe konstatojnë se të gjitha ato bashkohen në një pikë lista plotësisht të hapura”, tha Berisha.

Kryedemokrati Berisha hodhi akuza ndaj socialistit Damjan Gjiknuri, bashkëkryetar në komisionin për Reformën Zgjedhore, duke u shprehur se po shkel ligjin dhe po përpiqet të diktojë njëanshmërisht axhendën e reformës.

“Pala jonë nuk ja pranon sepse ka vendosur në axhendë çështje të reformës territoriale. Edhe në këtë kuadër ata refuzojnë që listat për këshilltarët e bashkive të jenë të hapura, e cila është një kërkesë e të gjitha partive politike opozitare”, tha Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike komentoi edhe nisjen e hetimeve nga SPAK për dosjen “Albania File” që lidhet me projekte të zhvillimit turistik në disa zona e vendit duke e cilësuar dosjen si një nga më të rëndat në historinë e Evropës e duke akuzuar kreun e qeverisë për përfitime të paligjshme nga zhvillimi i territorit.

“Ju bëjmë thirrje agjencive partnere ndërkombëtare të ndërmarrin çdo hetim sepse është një shans i madh për të zbërthyer në çdo qelizë narkoshtetin e Edi Ramës”, tha Berisha.

/RTSH/

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment