Policia e Parisit ndalon protestat pranë 10 shkollave dhe 5 universiteteve për pesë ditë
Policia e Parisit njoftoi të dielën një ndalim pesëditor të protestave pranë 10 shkollave të mesme dhe 5 universiteteve në kryeqytet, në përpjekje për të vënë nën kontroll javët e bllokadave dhe dhunës në institucionet arsimore në Francë, siç njofton BBC.
Urdhri ndalon tubimet apo marshimet e paautorizuara brenda 100 metrave nga këto institucione, nga 16 deri më 20 nëntor. Shefi i policisë së Parisit, Patrice Faure, tha se ndalimi ishte i nevojshëm për shkak të “ndërprerjeve dhe bllokadave të shumta rreth disa shkollave të mesme dhe institucioneve të arsimit të lartë” dhe “dhunës së vazhdueshme”.
Sipas Faure, bllokadat kanë çuar në dëmtimin e pronës publike, dhunë ndaj anëtarëve të komunitetit arsimor dhe përleshje me forcat e rendit. Kryetarët e tetë rretheve të Parisit i ishin drejtuar autoritetit rajonal të arsimit, duke kërkuar masa për të “siguruar hyrjet dhe daljet” e shkollave të bllokuara, raportojnë mediat lokale.
Vala e protestave në Francë nisi në shtator për shkak të kushteve të këqija në shkollat e mesme dhe më pas u përhap në universitete, te punëtorët dhe në lëvizjen e “jelekëverdhëve” kundër shtrenjtimit të jetesës. Faure bëri të ditur të dielën se që nga fillimi i protestave në Paris janë arrestuar 1.548 persona.