Protesta e 28 Nëntorit, 19 të lënduar në spitale, mes tyre 6 efektivë policie dhe 4 gazetarë
Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar bilancin e personave të lënduar gjatë protestës kombëtare të 28 Nëntorit në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga strukturat spitalore, deri në orën 15:15 janë paraqitur për ndihmë mjekësore 19 persona.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 17 të lënduar. Mes tyre janë pesë efektivë policie, katër përfaqësues të medias, njëra prej të cilave shtetase e huaj, si dhe tetë protestues.
Ministria bën me dije se të gjithë personat e paraqitur në këtë spital ndodhen në gjendje shëndetësore stabël.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur edhe dy persona të tjerë, një efektiv policie dhe një protestues.
Bilanci mbetet paraprak, ndërsa protestat dhe përplasjet mes qytetarëve dhe forcave të policisë vijojnë në Tiranë.