Protesta e dhunshme dhe bllokimi i rrugës dje në bulevard, Policia gjobit 21 persona! Ja shuma që do paguajnë
Policia ka vendosur 21 gjoba ndaj personave që bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e mjeteve gjatë protestës së studentëve, të zhvilluar ditën e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas njoftimit të Policisë, masat administrative janë marrë në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1. Për secilin prej personave është vendosur gjobë në vlerën 5 000 lekë.
“Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 21 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shtetas që kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.