Rama takohet me Macronin në Paris, merr pjesë në Forumin e Paqes (VIDEO)
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim dypalësh me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Paris. Takimi vjen në kuadër të vizitës së kreut të qeverisë shqiptare në Francë, ku me ftesë të Macronit do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, që zhvillohet më 10 dhe 11 nëntor.
Forumi i këtij viti do të përqendrohet te rëndësia e qeverisjes efektive për garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit, në një kontekst të karakterizuar nga ndryshimet gjeopolitike, zhvillimet teknologjike dhe sfidat klimatike.
Në kuadër të forumit, Rama do të jetë pjesë e një sesioni të posaçëm në formatin “Spotlight”, ku do të diskutojë mbi perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për brezat e rinj.
Gjithashtu, kryeministri do të marrë pjesë në seancën plenare me temë “From Sovereignty to Cooperation” (Nga sovraniteti te bashkëpunimi), ku do të trajtohen dimensione të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar.