Rashica pas fitores ndaj Irlandës: Ishte me rëndësi të nisim me fitore këtë kampanjë
Kosova ka nisur me fitore edicionin e ri të UEFA Nations League. Kombëtarja fitoi 1–0 ndaj Irlandës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e parë të grupit, ndërsa golin e fitores e shënoi kapiteni Vedat Muriqi në minutat e fundit të takimit.
Pas ndeshjes sulmuesi Milot Rashica komentoi fitoren e vështirë të ekipit. Sipas tij, Irlanda ishte skuadër e vështirë, pasi mbrohej me gjithë ekipin dhe në pjesën e parë mbrojtësit nxorën topin nga vija. Loja me krosime ishte e vështirë edhe për shkak të lartësisë së irlandezëve, por Kosova ia arriti ta fitonte ndeshjen në fund.
“Ishte me rëndësi të nisim me fitore këtë kampanjë, në shtëpi”, tha Rashica. Ai shtoi se nuk ka luajtur shumë me klubin, por ka qenë gjithmonë i gatshëm dhe ka folur me trajnerin Franco Foda përpara se t’i bashkohej grumbullimit.
Për ndeshjen e radhës ndaj Austrisë, Rashica tha se do të jetë edhe më e vështirë, por Kosova do të shkojë për të fituar dhe për t’u kthyer në shtëpi me 3 pikë.
Burimi: Klan Kosova