“S’e kam për Sotiraqin”, Rama kritika kryetarëve të bashkive: E kam me ato të aksit Tiranë-Korçë. Qëndroni në zyrë, mos ejani në Tiranë
Kryeministri Edi Rama ka ngritur vërejtje ndaj disa kryetarëve të bashkive, duke i kritikuar për mungesën e prezencës së tyre në terren dhe në komunitetet që administrojnë.
Rama tha se disa drejtues vendorë nuk qëndrojnë në bashkitë e tyre gjatë gjithë javës, por udhëtojnë drejt Tiranës edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës në terren.
Sipas tij, shqetësime të tilla janë ngritur në mënyrë të përsëritur nga komunitetet, veçanërisht në juglindje të vendit dhe në aksin Tiranë–Korçë.
“Vërejtje për disa kryetarë të bashkive që janë bërë pak problem, por e them në mënyrë të butë, për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë në komunitete gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund. Nuk janë të gjithë, por janë disa dhe, ndërkohë që shembulli i ministrit aktual të Pushtetit Vendor, që vjen nga një eksperiencë shërbimi jashtë Tiranës edhe pse shtëpinë e ka në Tiranë, është shembull për disa kryetarë që sot nuk po i përmend me emër, por herën tjetër do t’i përmend publikisht, që lënë detyrën dhe komunitetin përpara se të vijë momenti zyrtar i pushimit, që edhe aty hap diskutim ajo punë, dhe vijnë në Tiranë.
Kjo nuk është e justifikueshme dhe nuk është e pranueshme. Besoj se kam të gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar sa më parë këtë shqetësim, që është një shqetësim që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur nga disa prej komuniteteve tuaja, kryesisht në juglindje të vendit. Në aksin Tiranë–Korçë kryesisht. Se nuk flas për ata të PD-së, se ata mund të rrinë në shtëpi gjithë kohës, se si janë e si nuk janë, prapë ata janë. Por flas për të zgjedhurit e PS-së. Nuk e kam për Sotiraqin dhe as për ministrin”, tha Rama.