Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaBotaSHBA – CNN, MSNBC dhe ”Politico” padisin Trumpin për ndalimin e aksesit në Shtëpinë e Bardhë

SHBA – CNN, MSNBC dhe ”Politico” padisin Trumpin për ndalimin e aksesit në Shtëpinë e Bardhë

UASHINGTON, 21 shtator /ATSH-DPA/– Tri organizata mediatike amerikane, CNN, MSNBC dhe ”Politico”, planifikojnë të padisin presidentin Donald Trump për vendimin e tij për t’u ndaluar aksesin në Shtëpinë e Bardhë, njoftuan sot mediet në një deklaratë të përbashkët.

Nëse vendimi nuk kundërshtohet, ndalimi “kërcënon lirinë e shtypit dhe të drejtën e publikut për gazetari të pavarur, të lirë nga ndërhyrjet e qeverisë”, argumentuan të treja organizatat.

Ato thanë se qeveria ishte njoftuar se padia do të depozitohej sot

Synimi i tyre është të “mbrojnë parimin se qeveria nuk vendos se çfarë raporton apo publikon shtypi”.

Presidenti Trump deklaroi të premten se të tre organizatat mediatike ishin përjashtuar menjëherë nga Shtëpia e Bardhë, duke i akuzuar për përhapje të lajmeve të rreme (fake news).

Kritikët e shohin këtë veprim si një përpjekje për frikësim dhe si sulm ndaj lirisë së shtypit.

Megjithatë, mbeti e paqartë se çfarë e kishte nxitur saktësisht njoftimin e Trumpit.

Gazetarëve të të tria medieve iu mohua të shtunën hyrja në territorin e Shtëpisë së Bardhë, sipas deklarimeve të organizatave mediatike.

CNN është një nga kanalet e lajmeve më të njohura në botë.

”Politico” është pjesë e portofolit të grupit mediatik gjerman Axel Springer.

Gjatë mandatit të tij të dytë, presidenti Trump ka ndjekur një qasje gjithnjë e më të ashpër ndaj medieve që nuk i pëlqejnë.

Ai shpesh fyen gazetarët kur nuk i pëlqejnë pyetjet e tyre, ndërsa mbulimi mediatik në favor të tij vlerësohet publikisht nga presidenti./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment