SHBA – Rubio: Pak përparime në bisedimet e paqes SHBA-Iran
UASHINGTON, 9 nëntor /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi dje se është shënuar pak përparim në përpjekjet për zhvillimin e bisedimeve të paqes me Iranin.
“Negociatat deri tani nuk kanë qenë shumë produktive, sepse kërkesat e Iranit nuk janë thjesht të papranueshme, por në disa raste janë të tepruara, absurde dhe krejtësisht jorealiste”, u tha Rubio gazetarëve.
Ai shtoi se disa vende po vazhdojnë të angazhohen me Teheranin, duke paraqitur propozime dhe ide të ndryshme, por theksoi se nuk mund të thuhet se palët janë pranë një marrëveshjeje.
Rubio deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump preferon që mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes diplomacisë.
“Ndonjëherë kjo nuk është e mundur, për fat të keq. Por, nëse ekziston një mundësi për ta arritur këtë, ne do ta shqyrtojmë”, tha ai.
Presidneti Trump i tha dje televizionit amerikan CNN se rifillimi i sulmeve ndaj Iranit ishte “shumë pak i mundshëm”, nëse negociatat do të shënonin përparim.
Prej kohësh kishte spekulime se presidenti Trump mund të urdhëronte rifillimin e luftës kundër Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, në të cilat Partia Republikane humbi kontrollin si të Dhomës së Përfaqësuesve, ashtu edhe të Senatit.
Presidenti Trump ka deklaruar vazhdimisht se lufta, e nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli në shkurt, synon të pengojë Teheranin të zhvillojë armë bërthamore.
Presidenti amerikan pritet të takohetsot në Uashington me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Katari konsiderohet një nga vendet kryesore ndërmjetëse në konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit./ /Ad.Ab./ a.jor.