SHBA – Trump: Nuk po sulmojmë shtypin e lirë, por “lajmet e rreme”
TIRANË, 21 shtator /ATSH-ANSA/- Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtëpia e Bardhë nuk po sulmon shtypin e lirë, por atë që ai e cilëson si “lajme të rreme”, duke i konsideruar ato një kërcënim për sigurinë kombëtare.
“Nuk po i shpallim luftë shtypit të lirë, një vlerë që e kam për zemër. Po luftojmë lajmet e rreme, një fenomen që është përhapur si kancer dhe që është një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Duhet të ndalet”, shkroi Trump në rrjetin e tij social “Truth Social”.
Deklarata e tij vjen pasi CNN, MS NOW dhe “Politico” njoftuan se do të ngrenë padi kundër administratës amerikane, pasi Shtëpia e Bardhë u ka hequr gazetarëve të këtyre medieve, kredencialet për të hyrë në kompleksin presidencial.
Tre organizatat mediatike argumentojnë se vendimi cenon të drejtat e tyre kushtetuese për lirinë e shtypit.
Ato thanë se do të kërkojnë ndërhyrjen e gjykatës federale, për rikthimin e aksesit dhe mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve.
Gazetarët e CNN, MS NOW dhe “Politico” u ndaluan të shtunën të hynin në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa disa prej tyre raportuan se kredencialet e shtypit iu çaktivizuan ose iu konfiskuan.
Trump kishte njoftuar më parë se do të ndalonte hyrjen e këtyre tri medieve, duke i akuzuar për publikimin e “lajmeve të rreme” dhe të materialeve që, sipas tij, përmbajnë “gënjeshtra” për të, administratën e tij dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në padinë e paralajmëruar, mediet pritet të argumentojnë se heqja e kredencialeve, për shkak të përmbajtjes së raportimeve, përbën shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane, që mbron lirinë e shtypit, si edhe të së drejtës për proces të rregullt ligjor. /