E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›“Shikoni me kë kemi luajtur dhe si jemi paraqitur”, Klafuriç vlerëson ekipin: Tirana nuk ka gati dy lojtarë

“Shikoni me kë kemi luajtur dhe si jemi paraqitur”, Klafuriç vlerëson ekipin: Tirana nuk ka gati dy lojtarë

Trajneri i Tiranës, Dean Klafuriç, ka dalë në konferencën për shtyp në prag të përballjes me Skënderbeun. Tekniku kroat pranon se barazimi i fundit ka lënë zhgënjim në skuadër, pasi bardheblutë meritonin më shumë, por thekson se atmosfera në grup është pozitive dhe lojtarët janë gati për sfidën e radhës.

Klafuriç vlerëson momentin e mirë të korçarëve, por beson se edhe Tirana po paraqitet në nivel të kënaqshëm. Ai ndalet gjithashtu te objektivi për të qenë mes gjashtë skuadrave të para, bilanci i rezultateve të fundit dhe situata me dëmtimet.

Pas barazimit të fundit me Vorën, fitorja ndaj Skënderbeut bëhet detyrim për Tiranën?

Ne kërkojmë fitoren përpara çdo ndeshjeje. Për ne, çdo ndeshje është e rëndësishme dhe synimi është gjithmonë të marrim tri pikët.

Barazimi i fundit ka lënë zhgënjim në skuadër?

Po, jemi të trishtuar. Siç e thashë menjëherë pas ndeshjes, u larguam të zhgënjyer, sepse ishim skuadër më e mirë dhe meritonim ta fitonim atë takim. Sigurisht, pas një ndeshjeje të tillë mbetet zhgënjimi, por tani duhet të shohim përpara.

Si paraqitet situata në skuadër në prag të kësaj sfide?

Situata është e mirë. Pavarësisht se nuk fituam ndeshjen e fundit, atmosfera në skuadër vazhdon të jetë pozitive. Lojtarët kanë punuar shumë mirë gjatë gjithë javës. Për ne është pozitive që kjo ndeshje vjen shumë shpejt pas takimit të fundit, pasi jemi në humor dhe formë të mirë. Si futbollistët, ashtu edhe stafi teknik mezi presim të zbresim në fushë dhe të luajmë ndeshjen e radhës.

Përballë do të keni ndoshta skuadrën që po kalon formën më të mirë në kampionat. Ku e shihni vështirësinë kryesore të kësaj sfide?

Skënderbeu është një skuadër shumë e fortë. Siç e përmendët edhe ju, po kalon një moment të mirë, me rezultate pozitive dhe atmosferë të mirë. Por edhe ne po luajmë mirë dhe pres një ndeshje shumë interesante. Kemi përballë një kundërshtar interesant. Kujtoj edhe takimin e parë në Korçë, që ishte një ndeshje po ashtu interesante.

A ka presion brenda skuadrës për të qenë në gjashtëshen e parë?

Në futboll presioni ekziston gjithmonë dhe kjo është diçka normale. Kampionati është ende i gjatë dhe ne ndodhemi në një pozicion të mirë, pavarësisht se nuk fituam ndeshjen e fundit. Nëse do ta kishim fituar atë takim, do të ishim në vendin e tretë. Aktualisht jemi vetëm një pikë larg vendit të tretë, ndaj mendoj se vazhdojmë të jemi në një situatë të mirë.

Si është situata me dëmtimet dhe cilët lojtarë do të mungojnë?

Gjendja po përmirësohet. Xhixha është rikuperuar dhe, falë Zotit, tani është mirë. Edhe Berisha është rikthyer. Për këtë ndeshje nuk janë ende gati vetëm Staniç dhe, fatkeqësisht, Krymi.

Në pesë ndeshjet e fundit Tirana ka regjistruar vetëm një fitore. A ju shqetëson ky bilanc apo mendoni se skuadra është në rrugën e duhur?

Duhet të shihni kundër kujt kemi luajtur dhe mënyrën se si jemi paraqitur. Ne kemi luajtur mirë. Do të shqetësohesha nëse nuk do të krijonim raste dhe nuk do të zhvillonim lojë të mirë. Kur skuadra krijon raste dhe luan mirë, nuk mund të jem i shqetësuar. Ky është futbolli.

Ndeshja e sotme pritet të luhet në kushte atmosferike me shi. A mund të ndikojë kjo në lojën e Tiranës?

Kushtet në fushë do të jenë të njëjta për të dyja skuadrat. Kjo është e gjitha.

Lini një koment