Monday, 14 September 2026
54°F Detroit
BallinaKampionati boteror“Skandali” i xhudistes lituaneze në Tiranë, keqinterpretimi i medias serbe dhe reagimi i organizatorëve

“Skandali” i xhudistes lituaneze në Tiranë, keqinterpretimi i medias serbe dhe reagimi i organizatorëve

Një seri postimesh në rrjetet sociale nga xhudistja lituaneze Marta Navickaitė gjatë Kampionatit Evropian të Universiteteve në Tiranë u shndërruan në objekt debati mediatik, pasi pretendimet e saj për kushte të këqija akomodimi u përhapën me shpejtësi në mediat rajonale.

Sportistja publikoi pamje të disa ambienteve të papastra dhe të një torte kos me pretendimin se i ishte shërbyer ushqim i prishur. Mirëpo, verifikimi i pamjeve tregoi se produkti ushqimor ishte thjesht kos i shoqëruar me një paketë reçeli për përzierje, ndërsa historia u amplifikua menjëherë nga tabloidi serb Kurir për ta paraqitur ngjarjen si një dështim të organizimit në Shqipëri.

Ndaj këtij buje ka reaguar drejtori i konvikteve, Olsi Shahini, i cili sqaroi se fotot e publikuara nga sportistja nuk i përkisnin dhomave ku ishte akomoduar delegacioni. Sipas tij, disa sportiste kishin hyrë në një bllok godine jashtë funksionit për të fotografuar mjediset e dëmtuara. Shahini konfirmoi se dhomat e caktuara për sportistët në Universitetin Bujqësor të Kamzës dhe te Ekonomiku ishin plotësisht të mobiluara e të përgatitura.

Ndërkohë, organizatorët publikuan edhe pamje të dhomave pas largimit të delegacionit lituanez, ku dukeshin mbeturina, shishe alkooli e uji të hedhura në dysheme, duke hedhur dritë mbi dinamikën reale të ngjarjes dhe duke përgënjeshtruar pretendimet për skandal organizativ.

Lini një koment