Thursday, 3 September 2026
54°F Detroit
BallinaKampionati boterorSkandali s*eksual dhe pornografi me te mitur, lojtarët e akademisë së Real Madridit dënohen me nga një vit burg!

Skandali s*eksual dhe pornografi me te mitur, lojtarët e akademisë së Real Madridit dënohen me nga një vit burg!

Ish-lojtarët e akademisë së Real Madridit, Ferrán Ruiz, Juan Rodríguez dhe Andrés García, kanë pranuar një dënim prej një viti burg për veprën penale të pornografisë me të mitur, lidhur me një video seksuale të regjistruar në vitin 2023 në Gran Canaria.

Ndërkohë, mbrojtësi i ekipit të parë të Real Madridit, Raúl Asencio, është shpallur i pafajshëm. Vendimi është arritur përmes një marrëveshjeje mes të gjitha palëve në proces, pasi dy të rejat që shfaqen në video, njëra prej të cilave ishte 16 vjeçe në kohën e ngjarjes, deklaruan gjatë gjyqit se i kanë falur të katër futbollistët.

Falja e tyre ka bërë që ndaj Asencios të rrëzohet akuza e vetme me të cilën përballej, ajo e zbulimit të sekreteve. Ai akuzohej se i kishte treguar një personi të tretë videon që i ishte dërguar nga tre të pandehurit e tjerë, duke e ditur se ajo ishte regjistruar pa lejen e dy vajzave.

Për tre ish-lojtarët e akademisë, falja e viktimave ka shërbyer si rrethanë lehtësuese, duke bërë që Prokuroria të pranonte uljen e ndjeshme të dënimit për veprën më të rëndë, atë të pornografisë me të mitur.

Fillimisht, Prokuroria kishte kërkuar 4 vite e 7 muaj burg për Ferrán Ruiz, Juan Rodríguez dhe Andrés García, ndërsa për Raúl Asencion kërkonte 2 vite e 6 muaj burg.

Gjatë seancës gjyqësore, dy vajzat deklaruan se falja e tyre ishte bërë “me vullnetin e tyre” dhe “që kjo çështje të përfundojë”. Asencio u kërkoi falje viktimave dhe falënderoi për qëndrimin e tyre, ndërsa të njëjtën gjë bënë edhe dy prej të pandehurve të tjerë.

Me kërkesë të mbrojtjes, Prokuroria ka pranuar pezullimin e dënimit prej një viti burg për Ruiz, Rodríguez dhe García. Kushti është që ata të mos kryejnë vepra të tjera penale gjatë dy viteve të ardhshme dhe të ndjekin një kurs ndërgjegjësimi mbi çështjet seksuale.

Gjykatësja Virginia Peña ka marrë parasysh rrethanat personale dhe sociale të të dënuarve, faktin se ata nuk kanë precedentë penalë, si dhe përpjekjet e tyre për të riparuar dëmin e shkaktuar.

Sipas gjykatëses dhe prokurores, pezullimi i dënimit lejohet nga Kodi Penal spanjoll për dënimet me burgim më pak se dy vjet.

Raúl Asencio është liruar gjithashtu nga detyrimi për të paguar shpenzimet gjyqësore. Në të kundërt, tre ish-lojtarët e akademisë duhet t’i paguajnë ato.

Për ta është vendosur gjithashtu një urdhër ndalimi kontakti për dy vjet ndaj viktimës që ishte 16 vjeçe në kohën e ngjarjes, si dhe ndalim për tre vjet për ushtrimin e çdo profesioni apo aktiviteti që përfshin kontakt me të mitur.

Lini një koment