Skënderbeu kërkon të thyejë tabunë bardheblutë me një “ish”, Klafuriç projekton Tiranën fituese
Tirana dhe Skënderbeu do të masin forcat prej orës 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Sfida vlen për javën e 13-të të Abissnet Superiore.
Tirana me dy mungesa
Bekaj pritet të jetë titullar në portë, ndërsa reparti i mbrojtjes mund të përbëhet nga Vera Kollej dhe Vitija Ndong. Në krahët e prapavijës alternativat janë Alvarez dhe Vogli, me Myslovic që plotëson linjën mbrojtëse. Në mesfushë pritet të ketë hapësirë për Hazrollajn, i cili do të kërkojë të japë ritëm dhe fantazi në lojën e skuadrës. Krahas tij, Kish (Berisha) është një tjetër alternativë për të ndihmuar në ndërtimin e aksioneve. Në repartin ofensiv, Xhixha shihet si një nga pikat kryesore të sulmit. Trajneri do të ketë disa alternativa në dispozicion, por zgjedhjet përfundimtare do të varen nga gjendja fizike dhe taktika e ndeshjes.
Skënderbeu kërkon të thyejë tabunë bardheblu
Skënderbeu përgatitet për një tjetër sfidë të rëndësishme ndaj Tiranës, në një përballje ku motivimi në kampin korçar është i veçantë. Bardhekuqtë kanë plot dy vite pa arritur të mposhtin bardheblutë dhe tashmë kanë një mundësi të mirë për t’i dhënë fund kësaj ecurie që për ta është kthyer në një tabu.
Skuadra korçare vjen në këtë takim në një moment pozitiv duke treguar shenja të qarta stabiliteti dhe një formë të mirë në javët e fundit. Rezultatet e arritura kanë rritur besimin në grup ndërsa atmosfera në kampin e Skënderbeut është e tillë që skuadra synon të vazhdojë në të njëjtën rrugë edhe përballë një kundërshtari me traditë dhe histori të madhe në futbollin shqiptar. Megjithatë përballja me Tiranën nuk është thjesht një ndeshje e radhës për korçarët.
Përtej rëndësisë së pikëve kjo sfidë mbart edhe një motiv shtesë pasi Skënderbeu kërkon të mbyllë një kapitull që zgjat prej dy vitesh pa fitore ndaj kryeqytetasve, një statistikë që skuadra dëshiron ta ndryshojë pikërisht në këtë përballje. Objektivi është i qartë që Skënderbeu të konfirmojë formën e mirë që po kalon dhe njëkohësisht të thyejë tabunë ndaj Tiranës. Dy synime që mund të arrihen me një rezultat pozitiv, duke i dhënë skuadrës jo vetëm tri pikë të rëndësishme por edhe një dozë tjetër besimi për vazhdimësinë e kampionatit.
Në kampin korçar e dinë se për të arritur këtë objektiv do të duhet përqendrim maksimal disiplinë taktike dhe vendosmëri gjatë gjithë 90 minutave. Tirana mbetet një kundërshtar që duhet respektuar por Skënderbeu ka arsyet e veta për të besuar te një rezultat pozitiv. Dy vite pa fitore ndaj bardhebluve janë një motiv më shumë për korçarët dhe tashmë është momenti për ta kthyer formën e mirë në rezultat dhe për të larguar njëherë e mirë këtë tabu.