Thursday, 1 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Spahiu në Ditën e të Moshuarve: Do të dyfishojmë efiçencën e shërbimeve dhe kujdesit në banesë

Spahiu në Ditën e të Moshuarve: Do të dyfishojmë efiçencën e shërbimeve dhe kujdesit në banesë

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve Shërbimi Social Shtetëror organizoi një Konferencë Kombëtare. Aktiviteti solli në vëmendje rëndësinë e garantimit të një përkujdesjeje sociale cilësore dhe dinjitoze për moshën e tretë.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, nënvizoi nevojën për të forcuar më tej shërbimet e integruara dhe u kërkoi më shumë përgjegjësi e angazhim strukturave që ofrojnë kujdes të drejtpërdrejtë.

“Mos harroni asnjëherë që detyra juaj është ndoshta nga detyrat më të vështira që keni pasur ndonjëherë dhe kështu duhet ta konsideroni. Ju drejtoni institucione ku kategoria të cilëve ju i shërbeni është kategoria më vulnerabël. Patjetër që ne si ministri kemi bërë projekte shumë të mira për të ofruar shërbimin në banesë për moshën e tretë, por në plane jemi mirë, në realitet duhet të përmirësojmë shërbimet në lidhje me këtë moshë. Dhe që nga ky moment ne do mundohemi të jemi më efiçentë,” theksoi ministrja Spahiu.

Ngritja e Shërbimit të Geriatrisë dhe zgjerimi i spitaleve rajonale

Si pjesë e politikave të reja për moshën e tretë, ka nisur puna për ngritjen e Shërbimit të Geriatrisë. Ky shërbim do të vendoset fillimisht pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe më pas do të shtrihet gradualisht në spitalet rajonale në të gjithë vendin.

Synimi kryesor i kësaj nisme është ofrimi i një kujdesi spitalor të specializuar dhe të koordinuar, i cili adresohet në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj nevojave shëndetësore specifike të moshës së tretë, duke garantuar vazhdimësinë e trajtimit mjekësor sa më pranë vendbanimit të pacientëve.

Rrjeti i shërbimeve komunitare dhe asistenca në banesë

Për të parandaluar institucionalizimin e panevojshëm dhe për të mbajtur të moshuarit brenda mjedisit të tyre familjar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale po zgjeron mbështetjen në nivel lokal. Përmes financimeve të Fondit Social, gjatë pesë viteve të fundit janë ngritur dhe funksionojnë 28 shërbime komunitare dhe të specializuara.

Korniza e kujdesit të integruar mbështetet në tre shtylla kryesore që janë zgjerimi i shërbimeve të kujdesit dhe asistencës së drejtpërdrejtë në banesat e të moshuarve; shërbime të dedikuara ditore dhe strehim për kategoritë që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm; një kanal i drejtpërdrejtë dhe pa pagesë komunikimi, i vënë në dispozicion për këshillim, informacion dhe orientim drejt shërbimeve sociale e shëndetësore.

Lini një koment