Sulmi në “Krenarinë e Berlinit”, reagon Rama: Solidaritet me Gjermaninë, dënojmë dhunën
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Berlin, ku një person hyri me një furgon në një turmë njerëzish gjatë aktivitetit “Christopher Street Day” (Krenaria e Berlinit), duke lënë një person të vdekur dhe të paktën 16 të plagosur.
Në një reagim në rrjetin social X, Rama shpreh solidaritetin e Shqipërisë me Gjermaninë dhe popullin gjerman, duke dënuar çdo formë dhune dhe ekstremizmi.
“Jam thellësisht i trishtuar nga lajmi tragjik që vjen nga Berlini. Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, i shpreh solidaritetin tonë të përzemërt Gjermanisë dhe popullit gjerman. Nuk mund të ketë tolerancë për urrejtje, dhunë apo ekstremizëm në asnjë formë. Ato kërcënojnë jo vetëm sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe vetë vlerat që mbajnë demokracitë tona të bashkuara. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër tyre, me vendosmëri dhe pa hezitim. Mendimet e mia janë me familjen e viktimës dhe u uroj shërim të plotë dhe të shpejtë të gjithë atyre që u plagosën. Shqipëria qëndron me Gjermaninë.” – shkruan Rama.
Ngjarja ndodhi në zonën Tiergarten, ku mijëra persona po merrnin pjesë në aktivitetin e Krenarisë së Berlinit. Autoritetet gjermane vijojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e sulmit.