Tre persona ndalohen pas aksidentit tragjik në vendpunishte në Prishtinë, Prokuroria nis hetimet
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për aksidentin tragjik të ndodhur në një vend pune në kryeqytet, ku një person humbi jetën dhe një tjetër pësoi lëndime të rënda trupore.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti është raportuar më 28 korrik 2026, rreth orës 15:00, ndërsa prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, Njësinë Rajonale të Hetimeve dhe Inspektoratin e Punës.
Në kuadër të veprimeve hetimore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë angazhuar ekspertë të pavarur të sigurisë në punë dhe ekspert i inxhinierisë mekanike. Gjithashtu, janë siguruar prova materiale, janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes nga njësia e forenzikës.
Prokuroria ka bërë të ditur se janë intervistuar dëshmitarë okularë, si dhe personi i lënduar, i cili po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Si pasojë e aksidentit, një person me inicialet E.Sh. ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Lidhur me rastin, Prokuroria ka iniciuar hetime për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Bazuar në dyshimet fillestare dhe provat e siguruara deri në këtë fazë, Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e tre personave.
Një person me inicialet A.Sh. është ndaluar nën dyshimin për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa B.S., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë ndërtuese, dhe E.E., si person i kompanisë investuese të projektit, dyshohen për veprën penale që lidhet me rrezikimin e sigurisë në vendin e punës.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të shqyrtojë kërkesën për caktimin e masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar dhe do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit./Telegrafi.